Telegrafi

U17: Kosova barazon me Armeninë

Foto: ffk-kosova.com

Sot ka filluar turneu kualifikues për Evropianin “Suedia 2024”, ku Kosova është nikoqire e Grupit B1 në Ligën B.

Ndeshja hapëse ishte ndërmjet Gjeorgjisë dhe Maqedonisë së Veriut, e cila u zhvillua në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë e që përfundoi me rezultat 0:5 në favor të fqinjëve tanë.

Kosova luajti në terminin e dytë në stadiumin “Fadil Vokrri”. Përballja e parë e Dardaneve të reja në këtë turne ishte kundër Armenisë. Të dyja ekipet u angazhuan maksimalisht në fushë por ndeshja përfundoi pa gola. Kosova krijoi raste gjatë gjithë kohës por nuk arriti t’i konkretizojë, madje duke qëlluar edhe tërthorësen e portës mysafire, ndryshe nga Armenia e cila pati vetëm një goditje drejt portës.

Përzgjedhësja e Kosovës U17 Sanije Krasniqi pas takimit tha se dominuan gjatë gjithë kohës lojën, por Armenia arriti të mbrohet mirë.

“Ishte një lojë e vështirë, kundërshtari nuk ka qenë shumë i fortë, por është mbrojtur me 11 futbolliste. Ne nuk i shfrytëzuam rastet tona dhe kur nuk i shfrytëzon këto raste është rezultat real, ndonëse ne ishim favorit në këtë takim. Gjatë gjithë kohës dominuam patëm shumë raste edhe një traverzë po ashtu”, tha Krasniqi.

Ndeshjet e radhës zhvillohen të premten. Kosova luan kundër Gjeorgjisë në “Zahir Pajaziti” nga ora 12:00, ndërsa në “Fadil Vokrri” Maqedonia e Veriut e pret Armeninë, ndeshja zhvillohet në ora 15:00.