Telegrafi

U tërhoq shorti për raundin e parë të kualifikimeve për EURO 2024/25 për U17 dhe U19

Sot (e premte) në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës, është bërë tërheqja e shortit për raundin e parë të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2024/2025 për ekipet përfaqësuese U-17 dhe U-19.

Në 14 grupet sa janë ndarë ekipet kombëtare U-17, shorti i së premtes e ka vendosur Përfaqësuesen e Kosovës në grupin e katërt, bashkë me Belgjikën, Ukrainën dhe Kazakistanin.

Me datën 6 maj, do të vendoset për nikoqirin e turneut kualifikues të këtij grupi, derisa siç është e ditur tashmë, Evropiani 2025 me tetë ekipet finaliste do të zhvillohet në Shqipëri.

Po ashtu sot u tërhoq edhe shorti i raundit kualifikues për Kampionatin Evropian 2024/25 për përfaqësuesen U-19, i cili ka përcaktuar 13 grupet që do të fillojnë rrugëtimin drejt turneut final me tetë ekipe, që do të mbahet në Rumani në verën e vitit 2025.

Përfaqësuesja e Kosovës e grup moshës U19 tashmë i përket grupit të 10-të, pjesë e të cilit janë edhe Spanja, Austria dhe Ishujt Faroe. /Telegrafi/