Site icon Telegrafi

U organizua turneu memorial i pingpongut ‘Bedri Ajeti 2018’

Të shtunën (21 prill), në Palestrën e Pingpongut të Pallatit të Rinisë u zhvillua turneu memorial për nder të trajnerit të Prishtinës “Bedri Ajeti” në kategorinë e juniorëve, kadetëve dhe minikadetëve për meshkuj dhe femra. Morën pjesë afër 100 pingpongistë dhe pingpongiste nga klubet e Kosovës. Në këtë turne debutuan edhe shumë minikadet nga klube të ndryshme nga Kosova, që nënkupton se puna me mosha të reja është marrë seriozisht.

Në kategorinë e minikadeteve u paraqitën vetëm katër lojtare, andaj ato garuan në sistemin Round Robin, secila me secilën, e në fund më e mira doli Sara Shabani, e dyta Dina Krypa, e treta Anisa Domaniku dhe e katërta Liza Shabani.

Në kategorinë e minikadetëve patëm lojëra mjaft atraktive nga shpresat e reja të pingpongut, që japin shpresë për ngritje të cilësisë së pingpongut në Kosovë. Në Gjysmëfinalen e parë Amir Hoxha ishte më i mirë se Olti Rama duke fituar me 3-0, në gjysmëfinalen e dytë u takuan Enes Domoaniku dhe Ebrar Mitrovica, pas një loje të barabartë fitoi Ebrari me 3-1. Në finale u takuan Amir Hoxha dhe Emrar Mitrovica, edhe në këtë turne ngadhënjeu Amir Hoxha që edhe kësaj radhe në finale ishte më i mirë se Ebrar Mitrovica duke fituar me rezultat të ngushtë 3-2.

Në kategorinë e kadeteve më e mira doli Shega Hashni, që në gjysmëfinalen e parë ishte më e mirë se Venesa Maliqi duke triumfuar me 3-0, në gjysmëfinalen tjetër Loresa Imeri ishte më e mirë se Jerina Rexhepi, të cilën e mposhti me rezultat të ngushtë 3-1. Në finale u takuan Shega dhe Loresa, të dy lojtarët treguan lojë të mirë, ku vetëm diferenca në pikë përcaktoi fituesen, fituese doli Shega duke fituar me 3-2, thuhet në njoftimin e FPPK.

Në kategorinë e kadetëve, edhe një herë dominoi Fatih Karabaxhaku që mbrojti titullin e fituar vitin e kaluar. Në gjysmëfinalen e parë Fatih Karabaxhaku fitoi lehtësisht ndaj Sylejman Çerkinit me 3-0, e po ashtu edhe bashklojtari i klubit Blendi Hajdari në gjysmëfinalen tjetër fitoi ndaj Arbios Morinës. Në finale Fatihu dhe Blendi treguan lojë të mirë me shumë goditje atraktive, por në fund Fatihu triumfoi me 3-2.

Në kategorinë e junioreve në gjysmëfinalen e parë u takuan Edona Shabani dhe Bleona Mehmeti, të cilën e fitoi pa vështirësi Edona me 3-0, në gjysmëfinalen tjetër Alma Hoxha humbi ndaj Alma Mehmetit po ashtu me 3-0. Finalja pritej të ishte befasi nga Edona, pasi në përballjen e fundit Alma dhe Edona ishin të barabarta, por edhe kësaj radhe triumfoi Alma me 3-1.

Në kategorinë e juniorëve dominuan lojtarët nga Lidhja e Prizrenit, ku tre prej tyre edhe u plasuan në gjysmëfinale. Në gjysmëfinalen e parë Kreshnik Mahmuti fitoi me 3-0 ndaj Donat Sinanit (Hasan Prishtina). Në gjysmëfinalen e dytë i riu Blendi Hajdari ishte afër befasisë ndaj Fatih Karabaxhakut, duke udhëhequr me 2-0 në sete, por Fatihu nuk lejoi befasi duke triumfuar në fund me rezultat të ngushtë me 3-2.

Në finale u takuan dy më të mirët, Kreshnik Mahmuti dhe Fatih Karabaxhaku, Kreshniku deri në finale nuk kishte humbur asnjë set, e po ashtu shkoi edhe finalja, Kreshniku me fitoren 3-0 dhe mbrojti titullin nga viti i kaluar.

FPPK për fituesit e të gjashtë kategorive shpërndau diploma, medalje dhe kupa.

Exit mobile version