Telegrafi

U gjet e copëtuar në 800 metra thellësi, publikohen pamjet e ekuipazhit të nëndetëses indoneziane duke kënduar këngën “lamtumirëse”

Në rrjetet sociale është shfaqur videoja e 53 anëtarëve të nëndetëses së fundosur duke kënduar Sampai Jumpa, hit këngën indoneziane që do të thotë “lamtumirë”.

Pasi në fundin e detit u gjet nëndetësja indoneziane, në rrjetet sociale është shfaq një video e ekuipazhit duke kënduar brenda saj, transmeton Telegrafi.

Në videon e realizuar një javë para se KRI Nangala 402 të fundosej me tërë ekuipazhin, shihen anëtarët e ekuipazhit duke kënduar “Sampai Jumpa” apo thënë në gjuhën shqipe “lamtumirë”.

Komandanti i nëndetëses Harry Oktavian, shihet duke qëndruar i ulur i rrethuar nga marinarët që luajnë në kitarë akustike.

“Edhe pse nuk jam i gatshëm të më mungosh, e as të jetoj pa ty – të dëshiroj çdo të mirë”, këndojnë marinarët.

Videoja është filmuar si një dhuratë lamtumirëse me rastin e largimit të komandantit të nëndetëses nga kjo njësi, ka njoftuar zëdhënësi i ushtrisë indoneziane.

Nëndetësja ishte ndërtuar në Gjermani dhe ishte një nga pesë tjerat në flotën indoneziane, e cila u zhduk javën e kaluar gjatë stërvitjeve në afërsi të Balit.

E tri ditë më vonë, ushtria ka njoftuar se e kanë gjetur të copëtuar në fund të detit, 800 metra nën sipërfaqen e ujit. /Telegrafi/