Telegrafi

U ankuan për kushte të rënda për jetesë dhe u futën në grevë urie, policia saudite rrah brutalisht gratë e një strehimoreje

Një video amatore shfaq momentin kur forcat saudite të sigurisë, rrahin gratë e reja dhe i tërheqin zvarrë – duke ua shkulur flokët në një strehimore.

Videoja tregon grupin e burrave që i godasin gratë me rripa dhe shkopinj – madje edhe me revole elektrike, transmeton Telegrafi.

Pamjet janë shpërndarë në masë të madhe në rrjetet sociale, ku shihen policët e uniformuar dhe ata civilë që kryejnë bastisje brenda një strehimoreje në qytetin Khamis Mushait.

Mediat lokale raportojnë se gratë në këtë strehimore kishin protestuar për shkak të kushteve të rënda për jetesë, dhe ishin futur në grevë urie.

Në fillim të videos, gratë shihen duke tentuar të ikin nga burrat – derisa vazhdimisht bërtisnin, por as kjo nuk u ndihmoi pasi u përplasën për tokë.

E kur njëra tentoi ta ndihmojë mikeshën, policët iu vërsulën duke e goditur me gjithçka që kishin në dorë – duke filluar nga rripat, shkopinjtë e deri të elektroshoku.

Që nga publikimi i videos në Twitter gjatë të martës mbrëma, ka marrë afro një milion shikime dhe kjo shifër po vazhdon të rritet. /Telegrafi/