Telegrafi

Tymtari politik!

“Kosova C” është shndërruar në sinonim të një termocentrali që ka filluar të nxjerrë tym e të bëjë pluhur ende pa prodhuar asnjë megavat-orë energji elektrike. Megjithëse nuk është proceduar me shumë sesa një përzgjedhje parakualifikuese, shqyrtim modalitetesh e formash ndërtimi, projekti për termocentralin e ri që nga fillimi i shpalosjes po përshkohet nga kundërthënie të shumta.

Veprimi tjetër vendnumërues është vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’ia ndërruar emrin projektit nga “Kosova C” në “Kosova e Re”. Pa verifikuar shumë se cila është esenca e kësaj “rokade”, përshtypja e parë është se duke qenë të pazotët ta shtyjnë procesin përpara, e për të lënë përshtypjen se gjoja janë duke u marrë me këtë punë, ndërrojnë, vendojnë, kalkulojnë e risistemojnë emra projektesh.

Kjo “lojë emrash” vihet shumë para angazhimeve strategjike për ta konceptuar zhvillimin e mëtejshëm të energjetikës. Para se të zbrisnin në këtë nivel të të zhvilluarit të politikave operuese, më mirë do të ishte të fillojnë themelet e termocentralit. Nëse kjo është e pamundur, së paku të merren me përshtatjen e infrastrukturës ligjore, kompletimin e rregullave për ndërtimin e një termocentrali të ri, si dhe ta analizojnë më drejt, më mirë e më profesionalisht këtë gjë. Kjo punë do të rezultonte me më pak “fërkime sektoriale”, të cilat, që nga shpalosja e idesë, kanë qenë të pranishme në çdo debat.

Kosova, sigurisht, ka nevojë urgjente për energji elektrike, me qëllim të sigurojë zhvillim të papenguar të ekonomisë, por për një zhvillim praktik, real, që preket e vërehet, e jo garë emrash e slogane politike që as nuk prodhojnë energji, as nuk sigurojnë stabilitet ekonomik.

Mirëpo, e gjithë kjo tymnajë nuk është e papritur. Fundja, edhe vendimi për ndërtimin e termocentralit Kosova C – 2100 megavat është marrë para se të bëhet qoftë edhe një studim apo analizë ekonomike, sociale, ekologjike në rajonin ku do të ndërtohet. Pra, edhe në këtë projekt gjërat kanë filluar “alla-shqiptarçe”. Fillimisht është vendosur, është caktuar edhe kapaciteti i blloqeve që do të ndërtohen dhe, pastaj, dikur vonë, kanë vendosur ta diskutojnë me ekspertët dhe me qytetarët!?

Po të vlerësohet fare thjeshtë, pikë së pari ky është konflikt ekonomik në kuptimin e humbjeve ekonomike, por në këtë lloj varianti, siç është aplikuar deri tash, më tepër ngjan në një garë të pandershme politike, ku projekti energjetik përdoret si bazë e moto partiake.

Kjo taktikë e ka shtyrë edhe Qeverinë shqiptare të tërhiqet dhe të deklarohet se TEC-i “Kosova C” i tejkalon përmasat teknologjike dhe financiare të Shqipërisë, ani pse të dyja shtetet shqiptare nënshkruan një memorandum të gjerë bashkëpunimi pikërisht duke aluduar në këtë projekt.

Me këtë ritëm “progresi” dhe metodologji të politikëbërjes, nuk mund t’i vihet pikë as këtij emërtimi… Nuk duhet lejuar që “Kosova C – e Re” të vjetrohet si projekt dhe ide!?

(Autori është redaktor i rubrikës “Ekopolitikë” në gazetën “Lajm”)