CEE Champions turneu i organizuar nga organizata eSuba për vendet e Evropës, ka hapur kualifikimet për vendet partnere, organizata shqiptare AESA do të mbajë kualifikimet për përfaqësueset e Kosovës dhe të Shqipërisë.
Turneu CEE Champions është një turne i CS:GO për ekipet e vendeve evropiane, i cili organizohet për çdo vit, ndërsa pjesë e këtij turneu do të jetë edhe shteti i Kosovës dhe i Shqipërisë.
Secila përfaqësuese do të mbajë kualifikimet e tyre, ku tri skuadrat më të mira nga secila përfaqësuese do të shkojnë për të garuar me fituesit e vendeve tjera në turneun e madh, ku do të ndahen çmime rreth 27.000 euro.
Këto janë disa nga vendet pjesëmarrëse: Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Çekia, Estonia, Greqia, Hungaria, Letonia, Lituania, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovakia, Sllovenia dhe Ukraina.
Organizatori nga Shqipëria, AESA, do të mbajë tri kualifikime të përbashkëta për Kosovën dhe Shqipërinë, duke filluar nga data 29 prill.
Regjistrimet për ekipet e interesuara janë të hapura nga data 13 prill deri më 1 maj në platformën e Faceit, për t’u regjistruar klikoni këtu.