Site icon Telegrafi

Turistëve ‘iu shit’ si ujëvara më e lartë kineze – shikoni se si u mashtruan miliona vizitorë

Ujëvara më e lartë në malin Yuntai e merr ujin nga një tub i ngulitur në shkëmbinj, ka treguar një video e diskutueshme e marrë nga një alpinist dhe e publikuar në mediat sociale.

Videoja ka mbledhur më shumë se 70 mijë pëlqime që kur u publikua fillimisht të hënën.

Menaxherët e Parkut Turistik Yuntai njoftuan se kishin shtuar një “përmirësim të vogël” gjatë sezonit të thatë për ta bërë udhëtimin në ujëvarë të vlefshëm për vizitorët.

“Për mënyrën sesi i durova të gjitha vështirësitë në rrugën drejt burimit të Yuntai Falls vetëm për të parë tubin”, thuhet në përshkrimin e videos së publikuar nga përdoruesi “Farisvov”. Tema “burimi i Yuntai Falls është vetëm disa tuba” u përhap shpejt në mediat sociale, raporton bbc.

Videot mbi këtë temë janë parë më shumë se 14 milionë herë në rrjetin social Weibo dhe afro 10 milionë herë në platformën Douyin, duke shkaktuar një zhurmë të tillë saqë zyrtarë të pushtetit vendor u dërguan në park për të hetuar rastin.

Menaxherëve iu tha të mësonin nga incidenti dhe të informonin turistët për shtesën paraprakisht, sipas transmetuesit shtetëror CCTV.

Ujëvara në provincën qendrore të Henanit është 312 metra e lartë dhe është pjesë e gjeoparkut të malit Yuntai, ku miliona vizitorë udhëtojnë atje çdo vit, të tërhequr nga formacionet gjeologjike që janë më shumë se një miliardë vjet. /Telegrafi/

Exit mobile version