Thomas Tuchel pritet të marrë nëj vendim befasues, duke lënë jashtë formacionit startues për ndeshjen ndaj Lazios në Ligën e Kampionëve, yllin e ekipit, Kim Min Jae.
Është raportuar se tekniku gjerman momentalisht i ka dhënë përparësi reprezentuesit anglez Eric Dier, i cili ka habitur të gjithë me paraqitjet e tij të mira që prej se u bë pjesë e gjigantit gjerman.
Bazuar në raportimin e mediumit prestigjioz Bild, Kim nuk ishte pjesë e ekipit ‘A’ që mori pjesë në stërvitjen e fundit të Tuchel në Bavari, dhe se vendin e tij e ka zënë Dier.
Ish-lojtari i Napolit është ende lojtari me paraqitjet më të mira në fazën e mbrojtjes këtë sezon, por pas barazimit shokues 2-2 ndaj Freiburgut në vikend, Tuchel pritet që të bëjë disa ndryshime në formacion.
Si partner i Dier në zemër të mbrojtjes së Bayernit për këtë takim pritet të jetë ish-ylli i Juventusit, Matthijs De Ligt.
Holandezi kishte munguar në ndeshjen e parë që u zhvillua në ‘Stadio Olimpico’ para dy javësh, për shkak të akumulimit të kartonëve të verdhë./Telegrafi/