Site icon Telegrafi

Trupat e dhjetë emigrantëve të pajetë gjenden në lumin Drin në Bosnje dhe Hercegovinë

Trupat e gjithsej dhjetë personave janë gjetur mëngjesin e sotëm në lumin Drin, ku një ditë më parë u përmbys një varkë me emigrantë, konfirmuan burime zyrtare në Bosnje dhe Hercegovinë.

Drejtori i Mbrojtjes Civile të Republikës Serbe, Boris Trniniq, tha për mediat lokale se ekipet e shpëtimit dhe zhytësit gjetën trupat e pajetë të nëntë të rriturve dhe një foshnje që ishte vetëm gjashtë muajshe gjatë kërkimit në lum, i cili përfaqëson kufirin natyror midis Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.

Supozohet se në varkën me të cilën emigrantët po përpiqeshin të kalonin në Bosnje dhe Hercegovinë, ishin rreth tridhjetë persona. Sipas të dhënave të deritanishme, 18 prej tyre i kanë shpëtuar aksidentit, prej të cilëve 16 janë shtetas të Sirisë dhe dy egjiptianë.

Mes të mbijetuarve janë edhe dhjetë të mitur, shkruan index.hr.

Sipas të dhënave nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), gjatë dhjetë viteve të fundit, më shumë se 64 mijë emigrantë kanë vdekur në përpjekje për të arritur në vende të sigurta, duke përfshirë të paktën 3500 fëmijë.

Bosnja dhe Hercegovina është ndër vendet e rëndësishme të tranzitit për migrantët që përpiqen të arrijnë në vendet e Evropës Perëndimore. /Telegrafi/

Exit mobile version