Telegrafi

Trukimi i ndeshjeve, shtatë klube nga Maqedonia nën hetime nga Policia dhe Prokuroria

Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, me mbështetjen e Prokurorisë Publike, ka nisur hetime për disa klube të futbollit që janë përfshirë në trukime të ndeshjeve.

MPB-ja dhe Prokuroria Publike kanë kërkuar nga administrata e Federatës së futbollit të Maqedonisë që të sigurojë dokumentacion dhe informacion për klubet, ndeshjet dhe zyrtarë të caktuar.

Të njejtën e konfirmuan edhe nga “Shtëpia e Futbollit” të cilët theksuan se i kanë dorëzuar dokumentet e kërkuara nga policia dhe janë në bashkëpunim me organet shtetërore për të ruajtur integritetin dhe lojën e futbollit.

Veprimi i Ministrisë së Brendshme bazohet në informacionet dhe rekomandimet e marra nga “Sportradar”, organ i Interpolit dhe UEFA-s, qëllimi i të cilit është lufta kundër trukimeve.

Emrat e klubeve nuk janë bërë të ditura, por flitet se nën hetime janë shtatë klube nga Superliga dhe Liga e Dytë.

Kujtojmë se gjashtë vjet më parë, njëmbëdhjetë persona u arrestuan në një operacion ndërkombëtar policor nga Sllovenia, Kroacia për trukime të ndeshjeve. Një veprim i ngjashëm është bërë edhe vitin e kaluar në Serbi, pas së cilës disa klube janë përjashtuar nga Liga e Parë./Telegrafi/