Sot kampionati ka qenë pushim, ndaj dhe analistët kanë bërë një renditje të basketbollistëve më të mirë, kandidatë për trofeun MVP të sezonit të rregullt, trofe që sezonin e fundit e ka fituar Stephen Curry, transmeton Telesport.
Dhe ai është sërish në krye të listës edhe për sezonin aktual… Stephen Curry (Golden State)
1. Stephen Curry (Golden State) – Ka një mesatare prej 32 pikësh për ndeshje, ndërkohë që skuadra e Golden State nuk ka humbur asnjë takim këtë fillim-sezoni, duke korrur 16 fitore radhazi. Curry e krahason veten me Lionel Messi për sa i përket stilit të lojës dhe krijueshmërisë në fushë. Deri më tani nuk ka gabuar dhe është kandidati kryesor për ta fituar sërish trofeun e MVP-së për sezonin 2015-2016.
2. LeBron James (Cleveland Cavaliers) – Në këtë moment, “mbreti” nuk është në ditët e tij më të mira, teksa në disa ndeshje është eklipsuar nga Love. U kërkon shokëve të skuadrës me shumë angazhim në fushë. objektivi i tij është të shpallet jo më vetëm kampion në Lindje, por i gjithë NBA-së.
3. Russell Westbrook (Oklahoma) – Shifrat e tij në këtë fillim-sezoni janë mjaft të mira: 28 pikë, 10 asist dhe 2.5 vjedhje për ndeshje. Mungesa e Durant e ka bërë të jetë protagonist në fushë edhe pse Oklahoma ka luajtur me luhatje. Megjithatë, i vetëm ka arritur ta mbajë lart emrin e tij dhe të skuadrës kur është dashur.
4. Kawhi Leonard (San Antonio Spurs) – Është lojtari më i mirë i San Antonios. I rëndësishëm nën tabelë, jo vetëm në koshin e tij, por edhe në atë kundërshtar. Është kthyer në një lider në një skuadër ku ka shumë të tillë që e duan këtë rol. I saktë thuajse në çdo ndeshje, njeriu pa të cilin Spurs nuk do të kishin vendin e ndjekësit të Golden State në Perëndim.
5. Paul George (Indiana) – 26 pikë e 8 kërcime për ndeshje në këtë sezon në 24 minuta lojë janë kartvizita më e mirë e lojtarit të Indianës. Anësor apo më në qendër, kudo ta aktivizosh është i saktë. Ka arritur ta bëjë skuadrën e tij pretendente për titull në Lindje. Pas dëmtimit të sezonit të kaluar është kthyer më i fortë se më parë.
6. Anthony Davis (New Orleans) – Në tri takimet e fundit ka realizuar 26, 32 dhe 20 pikë, çka e kuotojnë qendër e Pelicans mes më të mirëve. Në këtë sezon ka një mesatare prej 17 pikësh e 18 kërcime për ndeshje, shifra që e renditin mes më të mirëve dhe pretendentëve për trofeun MVP.