Sebastian Vettel me Ferrari fitoi sot garën e Çmimit të Madh të Monaco në Formula 1, suksesi i tretë sezonal për të, duke konsoliduar pozitat në krye të renditjes.
Kishte që nga gara e Gjermanisë në vitin 2010, që Ferrari nuk e mbyllte garën në dy vendet e para. Falë një strategjie më të mirë, duke shtyrë hyrjen në bokse për të ndërruar gomat, ai arriti të parakalojë shokun e skuadrës Kimi Raikkonen, që u rendit i dyti (e nisi garën nga “pole”).
Në podium u ngjit edhe piloti australian i Red Bull, Daniel Ricciardo, që la pas makinën Mercedes të Valtteri Bottas.
Britaniku Lewis Hamilton, që e nisi garën nga vendi i 13 e mbylli atë në vendin e shtatë, shumë larg kryesuesve, por grumbulloi disa pikë për renditje.
Një garë në përgjithësi e mërzitshme, ku munguan parakalimet në rrugët qytetase të Montekarlos.
Në renditjen e përgjithshme, Sebastian Vettel ngjitet në kuotën e 129 pikëve dhe shkëputet 25 pikë kundrejt Hamilton, i dyti, ndërsa Bottas është i treti me 75 pikë (Raikkonen i katërti me 67 pikë). /telesport/