Telegrafi

Triumfojnë Struga dhe Shkupi, Shkëndija ndalet nga Voska në Tetovë

Struga Trim Lum dhe Shkupi kanë regjistruar fitore në ndeshjet e luajtura mesditën e sotme në kuadër të xhiros së 23-të në Superligën e Maqedonisë së Veriut, ndërsa Shkëndija është ndalur nga Voska Sporti në Tetovë.

Kampionët në fuqi morën fitore 3:1 në shtëpi përballë Brera Strumicës, me Besart Ibraimin që realizoi golin e parë nga penalltia në minutën e 33-të, teksa tre minuta më vonë një autogl i Rufatit, rriti epërsinë në 2:0 për ekipin e Shpëtim Duros. Pjesa e dytë solli golin e tretë për struganët, të cilët përmes Radeskit në minutën e 59-të çuan shifrat në 3:0. Mysafirët pesë minuta para fundit me Ivkoviq shënuan golin e vetëm.

Shkupi në Çair triumfoi përballë Rabotniçkit me shifra 3:2. Fillimisht dukej se bardhekaltërit do të siguronin shumë lehtë tre pikët, kur pjesa e parë u mbyll me dy gola të shënuar nga Rwatubyaye dhe Gronner, por në fraksionin e dytë “romantikët” gjetën dy herë tjera rrjetën me Adem dhe Gando, duke barazuar përkohësisht rezultatin. Megjithatë autori i golit të parë për Shkupin, u shfaq sërish në skenë ku në minutën e 84-t shënoi gol për fitore të skuadrës nga Çairi me shfira finale 3:2.

Në Tetovë, Shkëndija nuk ka mundur të shkojë më shumë se një barazim pa gola në duelin me Voska Sportin. Të dyja ekipet kishin rastet e tyre, teksa kuqezinjtë mund ta mbyllnin me fitore këtë ndeshje, megjithatë Çinari nuk ishte i saktë nga pika e bardhë, duke humbur penallti përballë Zahovit që doli më i suksesshëm.

Me barazim pa gola u mbyll edhe ndeshja ndërmjet Gostivarit dhe Vardarit, me ekipin vendas që nuk arriti të merr një triumf kundrejt një ekipi që parashiheshin favorit për të fituar.

Në dy duelet tjera, Makedonija Gjorçe Petrovi u mund nga Sileksi në Kratovë me rezultat minimal 1:0, ndërsa Tikveshi triumfoi ndaj Bregallnicës me shifra 2:1.

Xhiroja e radhës dhe e 24-t në Superligën e Maqedonisë së Veriut në program është me 16 mars./Telegrafi/