Dy qytete indiane iu bashkuan Nju Delhit për të qenë ndër 10 më të këqijat në botë për ndotje të hënën në mëngjes, një ditë pasi argëtuesit lëshuan fishekzjarre për Diwali – festivali vjetor hindu i dritës.
Kryeqyteti Nju Delhi zuri, siç ndodh shpesh, vendin e parë.
Ai kishte një shifër të indeksit të cilësisë së ajrit (AQI) prej 420, duke e vendosur atë në kategorinë e “të rrezikshme”, sipas grupit zviceran IQAir.
Atyre iu bashkua gjithashtu në top 10, Kolkata në lindje të Indisë, që doli i katërti me një AQI prej 196, ndërsa kryeqyteti financiar i Mumbait ishte i teti me një AQI prej 163.
Një nivel AQI prej 400-500 ndikon tek njerëzit e shëndetshëm dhe është i rrezikshëm për ata me sëmundje ekzistuese, ndërsa niveli 150-200 sjell siklet tek njerëzit me astmë, probleme me mushkëritë dhe zemrën. Nivelet 0-50 konsiderohen të mira.
Cilësia e ajrit në Indi përkeqësohet çdo vit përpara dimrit, kur ajri i ftohtë “bllokon” ndotësit nga automjetet, industria, pluhuri i ndërtimit dhe djegia e mbetjeve bujqësore. /Telegrafi/