Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Fondacionin Kosovë – Luksemburg, në kuadër të projektit “Zhvillimi i komuniteteve”, ku pritet që fillimisht të përkrahën tri fshatra.
Përmes një njoftimi në faqen zyrtare të Komunës së Vitisë thuhet që aktualisht pjesë e marrëveshje janë tri fshatra por me mundësi të përfshirjes edhe të dy fshatrave tjera, të cilat kanë konkurruar.
“Kemi një bashkëpunim të gjatë dhe të mirë me Fondacionin Kosovë-Luksemburg. Unë jam falënderues për stafin menaxherial të këtij fondacioni por edhe për financuesit e saj si dhe për qeverinë e Luksemburgut, për ndihmën e vazhdueshme për rajonin sidomos për komunën e Vitisë dhe atë në shumë projekte”, u shpreh Haliti.
Ndërkaq Izjah Ademi, përfaqësues i Fondacionit Kosovë-Luksemburg, tha se bashkëpunimi i këtij fondacioni me komunën e Vitisë është i shkëlqyeshëm, teksa shtoi se më herët në këtë komunë janë realizuar disa projekte.