Gjatë ditës së martë në Komunën e Drenasit janë shkaktuar tri zjarre.
Zjarret kanë përfshirë tre fshatra, Korroticë e Epërme, Zabel i Epërm dhe Gllobar, transmeton Telegrafi.
Drejtori për Shërbime Publike dhe Emergjente, Nexhmedin Gruda për Telegrafin, tha se zjarri është shkaktuar nga faktori njeri e që nuk dihet nëse ka qenë e qëllimshme ose jo, por ka pasur vëshirësi për ta lokalizuar.
“Arsyen e zjarrit nuk e dimë, faktori njeri kuptohet por nuk mund të themi se ka qenë e qëllimshme ose aksidentale. Lokalizimin e kemi bërë me vështirësi, na kanë dalë në ndihmë edhe zjarrëfikësit e Feronikelit”, tha ai.
Ndërsa Afrim Gjeli, nga Shërbimi i Zjarrëfikësve në Drenas, tha se pati vështirësi në lokalizimin e zjarrit si shkak i temperaturave të larta dhe mungesës së stafit.
“Realisht zjarret në temperatura të larta gjithmonë janë vështirë me i lokalizu. E duke e pasë parasysh këtë por edhe stafi tash nuk është numri i madh i zjarrfikësve, sepse po kanë defekte duke e pasë parasysh që po hynë në terene të vështira, kemi hasur vështirësi. Na i kemi shfrytëzu të gjitha kapacitetet që i kemi në disponim për me i lokalizu këto zjarre, niveli i gatishmërisë është 100% te ne për me i dalë në ndihmë çdo qytetari që drejtohet te ne”, tha ai.
Ndryshe, për këtë rast ka reaguar edhe komuna e Drenasit, duke bërë thirrje që të mos ndezen zjarrët sepse me idenfikimin e personave që kanë shkaktuar këto zjarre, do të merren masa sipas ligjeve në fuqi. /Telegrafi/
Videon mund ta shikoni këtu.