Ligji për Trepçën, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, nga ekspertët po vlerësohet si një nga hapat më të rëndësishëm të bërë në fushën e zhvillimit ekonomik të vendit.
Gjigantit metalurgjik Trepça thuhet se i duhet kohë të rimëkëmbet, por me një punë, kjo mund të arrihet në periudhat e ardhshme.
Trepça, sot, brenda Kosovës, përbëhet prej 41 njësive të ndryshme, që grupohen kryesisht në tri komplekse të mëdha: në miniera me flotacione, në parkun industrial në Mitrovicë dhe në kompleksin e shkritoreve.
Mirëpo, gjithashtu, dihet se një pjesë e madhe e këtyre kapaciteteve janë të degraduara, për shkak të mungesës së mirëmbajtjes ose mungesës së investimeve, e madje edhe keqshfrytëzimit në të kaluarën.
Profesori universitar në fushën e ekonomisë, Muhamet Sadiku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se me miratimin e Ligjit për Trepçën po shihen përpjekjet që kjo ndërmarrje pa synohet të bëhet biznes i suksesshëm.
“Gjatë këtyre viteve të pasluftës Trepça ka qenë në mëshirën e askujt, tani jemi në një situatë ku këto asete shumë të rëndësishme ne duhet t’i ekspozojmë në zhvillim. Nëse Trepça qeveriset në mënyrë efektive, nëse formohet një bord profesional, Trepça ka mundësi gradualisht të shndërrohet në një biznes të suksesshëm dhe të japë efektet e veta në zhvillim”, thekson Sadiku.
Kombinati Trepça, shton Sadiku, duhet të jetë e hapur për investime të jashtme, si dhe duhet të jetë e hapur për partneritet publiko – privat.
Trepça, sipas ligjit, do të organizohet si shoqëri aksionare, në të cilën aksionar kryesor do të jetë Qeveria me 80 për qind të aksioneve, dhe 20 për qind do të jenë aksione të punonjësve të Trepçës.
Ndërmarrja Trepça, e cila që nga paslufta ka qenë e ndarë në dy pjesë, në veriun e dominuar nga serbët dhe Stan Tërgun, me minatorë shqiptarë, sipas profesor Sadikut, tani me miratimin e Ligjit për Trepçën, këto asete të kësaj ndërmarrjeje, po iu afrohen komuniteteve.
Ai thotë se serbët e veriut duhet ta respektojnë vendimin e Kuvendit të Kosovës, pasi që Trepça nuk mund të funksionojë si e ndarë.
“Sa i përket statusit, Trepça është vënë në kulmin e Qeverisë së Kosovës dhe kjo është mirë. Duhet pranuar se Trepça në pjesën në veri ka qenë e ndarë politikisht dhe nën kontrollin e një shtetit dhe me këtë ligj, asetet po iu afrohen komuniteteve dhe nga asete është e mundur të përfitojnë qytetarët sidomos qytetarët e Mitrovicës”, thekson Sadiku.
Ndërkohë, autoritetet në Beograd e kanë quajtur të pavlefshëm miratimin e Ligjit për Trepçën.
Drejtori i Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Marko Gjuriq, ka deklaruar se të hënën, më 10 tetor, qeverisë do t’i propozojë që të kërkojë mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për shkak se, siç ka thënë ai, “Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Ligjin për Trepçën, dhe ka shkelur Rezolutën 1244 të OKB-së”.
Sidoqoftë, strukturat udhëheqëse të kombinatit metalurgjik, tashmë kanë edhe disa nga planet e rimëkëmbjes së Trepçës.
Drejtori i Trepçës, Ahmet Tmava, ka thënë se pas miratimit të ligjit, nga fillimi i janarit të vitit të ardhshëm hyhet në dinamikën obligative të planit zhvillimor të ndërmarrjes.
“Jemi posedues të resursit minerar, duhet të rritet sasia eksplatuese e xeherores, duhet të shkohet në 1.5 milion ton xehe të eksplatuara, kjo nuk bëhet menjëherë, por bëhet për një periudhë kohore që do të jetë maksimum 5 vite. Nëse themi se i kemi afër 400 mijë ton xehe të eksplatuara dhe e rrisim prodhimin 1.5 milion ton xehe, atëherë krijojmë bazë perfekte edhe për zhvillim të metalurgjive”, ka thënë Tmava, duke shtuar se katërfishimi i prodhimit, garanton perspektivën zhvillimore dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Kuvendi i Kosovës miratoi pas mesnatës së të premtes, Ligjin për Trepçën, me të cilin, u tha se gjiganti ekonomik do të rimëkëmbet dhe do të rikthehet në treg.
Ligji ngjalli kundërshtime te deputetët e Listës Serbe, të cilët nuk qëndruan në sallë deri në fund të seancës së dytë./rel/