Site icon Telegrafi

“Trepça” thotë se bllokadat përmbarimore po ndikojnë në përkeqësimin e gjendjes financiare, rrezik serioz për funksionimin e mëtejshëm

Ndërmarrja publike "Trepça"

Ndërmarrja publike “Trepça” ka njoftuar se bllokadat përmbarimore të iniciuara nga punonjësit e “Trepçës” kanë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes financiare të ndërmarrjes.

Ato po e vështirësojnë pagesën e pagave për muajin shkurt dhe përmbushjen e detyrimeve të tjera financiare, shkruan Telegrafi.

Sipas njoftimit, kjo është vetëm faza e parë e këtyre lëndëve, ndërsa në proces të pagesës është shuma prej 475 mijë e 498 euro, e cila përfshin:

-Obligimet ndaj punonjësve – 347 mijë e 047 euro

-Shpenzimet përmbarimore – 37 mijë e 299 euro

-Shpenzimet e avokatëve – 91 mijë e 152 euro

Bëhet e ditur se kjo shumë përbën mbi 50% të fondit mujor të pagave të ndërmarrjes publike, duke e vështirësuar kështu menaxhimin e burimeve financiare për funksionimin e saj.

“Trepça SH.A operon përmes njësive të saj biznesore, mirëpo të ardhurat nga eksporti i koncentrateve dhe qiradhënia nuk kanë qenë të mjaftueshme për të mbuluar të gjitha njësitë, veçanërisht ato që për një kohë të gjatë nuk kanë arritur të krijojnë të hyra financiare”, thuhet në njoftim.

Më tej, thuhet se situata e krijuar paraqet një rrezik serioz për funksionimin e mëtejshëm të ndërmarrjes.

“Për shkak të gjendjes së rëndë financiare, Trepça SH.A u bën thirrje të gjithë punonjësve të përfshirë që të paraqiten pranë menaxhmentit për arritjen e një marrëveshjeje. Në të kundërtën, rrezikohet likuiditeti i ndërmarrjes dhe funksionimi i saj në të ardhmen”, thuhet tutje në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version