Ndërmarrja publike “Trepça” ka njoftuar sot se punëtori me inicialet V.M. është larguar përkohësisht nga puna.
Sipas njoftimit, i njëjti ka kryer shkelje të rënda të deyrave të punës duke keqpërdorur pushimin mjekësor, shkruan Telegrafi.
Bëhet e ditur se V.M. ka filluar pushimin mjekësor më 06.02.2024 dhe se ende vazhdon të jetë në pushim mjekësor.
“Për shkak se ka kryer shkelje të rënda të detyrave të punës nga neni 10 par.1, nën paragrafi 1.7 i Rregullores nr.prot: 2906 të datës 30.7.2020 për përgjegjësinë disiplinore dhe materiale të punëtorëve të Trepça Sh.A, për shkak se i njëjti ka keqpërdorur pushimin mjekësor përgjatë tri viteve të fundit, që nga data 06.2.2024 ka filluar pushimet mjekësore dhe ende vazhdon të jetë në pushim mjekësor”, thuhet në njoftim.
“Trepça” ka thënë se duke u bazuar në ligjin Nr. 03/L-212 I PUNËS neni 59, paragrafi 4, i punësuari ka të drejtë në kompensim të pushimit mjekësor, në kohëzgjatje prej dhjetë deri në nëntëdhjetë ditë pune.
Tutje thuhet se V.M. ka keqpërdorur pushimin mjekësor, ku vetëm në vitin 2024 i njëjti ka pasur 194 ditë pushim mjekësor, transmeton Telegrafi.
“Në këtë rast, z.V.M. ka keqpërdorur pushimin mjekësor kur vetëm në vitin 2024 i njëjti ka munguar 194 ditë pushim mjekësor, kështu i njëjti ka kryer shkelje të rënda të detyrave të punës nga neni 10 par.1 nën paragrafi 1.7 i Rregullores nr.prot: 2906 të datës 30.7.2020 për përgjegjësinë disiplinore dhe materiale të punëtorëve të Trepça Sh.A”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/