Site icon Telegrafi

Trepça ankohet në FIBA

Klubi i basketbollit Trepça është ankuar në FIBA rreth vendimit të Ligës Ballkanike për ndërprerjen e lojës me Pejën, të cilën më pas e fituan Verdhezinjtë me rezultat zyrtar, 20:0.

Në fakt, në çerekun e tretë të ndeshjes që po zhvillohej në palestrën e sporteve “Minatori”, loja ishte ndërprerë pas hedhjes së gjësendeve nga ana e tifozëve mitrovicas.

Dhe, zbrazja e palestrës nuk u kishte mjaftuar drejtuesve të Ligës Ballkanike pasi drejtori sportiv, Shay Shtriks, kishte vendosur që loja të mos vazhdonte më dhe më pas pasuan dënimet e ashpra për të Gjelbrit.

Ata e humbën lojën 0:20, u gjobitën pesëmijë euro dhe u dënuan me një lojë me vetëm 300 shikuesi. Drejtuesit e “Xehetarëve” nuk i kanë pritur aspak mirë këto dënime dhe kanë shkuar më larg, duke u ankuar në shtëpinë e basketbollit evropian, edhe pse i kanë kryer obligimet e parapara ndaj BIBL-së deri të martën, kur e kishin edhe afatin e fundit.

“Ne i kemi kryer obligimet që kishim ndaj FIBA-s dhe do ta zhvillojmë ndeshjen e së mërkurës mbrëma ndaj Pejës”, tregon fillimisht sekretari i klubit mitrovicas, Kemajl Muja.

“Mirëpo, edhe ne i kemi pakënaqësitë tona në Ligën Ballkanike, pasi në këtë rast na është bërë një padrejtësi. Për këtë, e kemi bërë një ankesë në FIBA pasi kemi konsideruar se loja me Pejën nuk është dashur të ndërpritej dhe ajo do të duhej të vazhdonte pas zbrazjes së palestrës, njëjtë siç ka ndodhur së fundmi në një ndeshje kampionale në Turqi. Ne e kemi zbrazur palestrën me kohë dhe nuk kishte arsye të mosvazhdimit të lojës. Andaj, ne kërkojmë që loja me Pejën ose të vazhdojë aty ku ka mbetur, ose të përsëritet nga fillimi”, shton Muja.

Mitrovicasit do të luajnë përsëri me pejanët sonte në “Karagaç”, po ashtu në kuadër të Ligës Ballkanike dhe tifozët mitrovicas, “Torcida” janë duke e shqyrtuar mundësinë që ta përcjellin këtë ndeshje në Palestrën e Sporteve në Pejë.

Exit mobile version