Trepça ’89 dhe Llapi kanë shënuar fitore në kuadër të xhiros së 30 të Vala Superligës së Kosovës në futboll.
Mitrovicasit triumfuan si mysafirë të skuadrës prizrenase Lirisë me rezultat 2-0, gjersa Llapi para shikuesve të vetë mposhti ekipin e Drenicës me rezultat minimal 1-0.
Qysh në minutën e katërt, “Minatorët” treguan se kishin ardhur në Prizren për tre pikë, kur iu anulua një gol shkaku i pozitës jashtë loje.
Por, gjelbërezinjtë arritën të tundin rrjetën e bardhezinjve në të njëzetën minutë me anë të sulmuesit Oto John.
Golin e dytë dhe të fitores, mysafirët e shënuan pesë minuta para përfundimit të takimit me anë të Arb Manajt.
Në anën tjetër, llapjanët gjatë gjithë ndeshjes dominuan kundër drenicakëve, gjë që rezultoi edhe me fitimin e tre pikëve në fund të takimit.
Në fakt, Kreshnik Lushtaku shënoi në portën e gabuar duke mposhtur portierin e vetë katër minuta pas fillimit të ndeshjes.
Në vazhdim të ndeshjes më nuk pati gola dhe kështu, podujevasit shënuan fitore me rezultat 1-0.
Pas kësaj, Llapi zë pozitën e tretë me 48 pikë ndërsa Trepça ’89 ngritët në vendin e katërt me 47 pikë, po aq sa ka Liria e vendit të pestë. Drenica zbret në vendin e gjashtë me 45 pikë. /Telegrafi/