Telegrafi

Tregun e Gjelbër të Prishtinës s’ka kush që e ndërton

Tregu i Gjelbër në kryeqytet, hapësirën e ka goxha të madhe, e duket se po aq i ka edhe problemet me të cilat përballen shitësit në të.

Kësi situate ka edhe te tregu i Ulpianës. E gjendja e rëndë shumëvjecare ua humbi shpresat tregtarëve se komunarët do t’i mbajnë premtimet për t’ua ndrequr kushtet në të cilat afarojn.

Tregjet nuk ofrojnë kushte e as kurrfarë përparësie as për prodhuesit vendorë, për të plasuar produktet e tyre nëpër to.

Edhe opozitarët në Kuvendin Komunal e pranojnë që sfidat në pazarin e kryeqendrës së vendit janë të shumta. Madje nga PDK, thonë se përkundër mospajtimeve për shumë çështje, i kishin ofruar bashkëpunim kryetarit Përparim Rama për projektin e Tregut të Ri të Gjelbër, raporton Klan Kosova.

Shefi i Prishtinës, në tetorin e vitit të kaluar përmes një postimi në Facebook, kishte publikuar projektin se si do të dukej tregu i ri, për të cilin kishte thënë se kanë nisur procedurat e realizimit, dhe se është bërë edhe pastrimi i zonës.

Komuna thotë se hapësira për tregun e ri është para dy opsioneve si zgjidhje të mundshme. E para, sipas komunarëve, është të shkohet me dhënie në shfrytëzim afatgjatë të pronës komunale dhe të implementohet në sektorin privat, dhe e dyta të shkojë përmes prokurimit me mjete vetanake të komunës.

Se cili opsion do të zgjidhet, merret vesh në shtator kur në kalimin për buxhet ky projekt, siç thonë nga komuna, do të futet si pikë e rendit të ditës.