Tri vjet më parë, një nga ikonat e sportit botëror dhe atij të Formula 1, Michael Schumacher, pësoi një aksident teksa garonte me ski, përfundoi në koma dhe jeta e tij mori një rrjedhë të papritur.
Që nga 29 dhjetori i vitit 2013, asnjë foto e Michael nuk qarkullon më për fansat e tij, ndërsa lajmet janë me pikatore dhe shpesh kontradiktore.
Goditja që mori në kokë pas rrëzimit ishte e rëndë, disa operacione pasuan ditët në vijim dhe një qëndrim për disa muaj në gjendje kome, deri sa sportisti u transportua në shtëpinë e tij, ku dhe ndodhet ende në kurim. Privatësia e jetës së Schumacher pas aksidentit, në këto tri vite, është ruajtur me fanatizëm, ndërsa e ardhmja e tij është ende një mister.Piloti gjerman Michael Schumacher
Lajmet e fundit që qarkullojnë për 7 herë kampionin e botës në Formula 1 janë ato se ai nuk arrin dot të ecë, madje as me ndihmën e mjekëve dhe specialistëve që e ndjekin nga afër dita-ditës. Por Schumacher vazhdon të luftojë në vilën e tij në Gjenevë, ndërkohë që deri më tani janë harxhuar rreth 30 milionë euro për shërimin e tij.
Një rehabilitim i gjatë dhe delikat, ndërkohë që gjendja e tij është ende e pastabilizuar. Muajt e fundit, familjarët e Michael kanë rihapur faqet zyrtare në “Instagram” dhe “Twitter”, duke sjellë foto nga karriera e pilotit dhe shkruar se Schumacher vijon të luftojë. më 3 janar do të mbushë 48 vjeç, me shpresën që deri atë ditë lajmet të jenë më të mira. /telesport/