Skuadra ruse kërkon të shesë yjet këtë verë, me qëllim që të ulë harxhimet, dhe Eto’o ka thënë se do të pëlqente të shfrytëzojë shansin të punojë sërish me menaxherin portugez.
Mediat britanike raportuan se Blutë mund të ktheheshin kah 32-vjeçari nëse dështojnë me përpjekjet për të transferuar Wayne Rooneyn nga Mancehster Untied.
Eto’o ende ka shumë kualitet dhe do të dëshmohej një lojtar i vyeshëm në Stamford Bridge: kamerunasi tashmë ka shënuar dy gola në katër paraqitje këtë sezon.
Megjithatë, Eurosport ka dhënë tre arsye se pse mendon se Chelseat nuk i duhet ish-sulmuesi i Barcelonës dhe Interit.
Paga e lartë
E para, ka një arsye se pse Anzhi kërkon ta shesë Eto’on: paga e lojtarit. 32-vjeçari ka fituar para të çmendura gjatë kohës së tij te gjiganti rus. Ai ka qenë lojtari më i paguar në botë me afro 20 milionë euro në vit, jashtë taksave.
Por, pyetja është se a ia vlen Chelsea të paguajë kaq shumë para për shërbimet që ai do të ofrojë?
Edhe pse ai ka shënuar dy gola në katër ndeshje, vetëm 45 për qind e goditjeve të tij ishin në gol dhe ai po ashtu ka krijuar një rast në ndeshje. Në anën tjetër, Chelsea ka nevojë për një sulmues i cili jo vetëm që mund të shënojë gola, por një sulmues i cili edhe mund të krijojë. Mbase kjo shpjegon se pse klubi ka qenë shumë i interesuar në Rooneyn.
Kjo është sepse sulmi i Chelsea ka edhe treshen Oscar, Eden Hazard dhe Juan Mata, të cilët luajnë prapa sulmuesve, që do të thotë se sulmuesi ka përgjegjësi të krijojë hapësira dhe pasime për ta, që edhe pse të rinj, paraqesin një treshe të talentuar sulmuese.
Mosha
Në moshën 32 vjeçare, ju duhet të keni dyshime se edhe sa sezone Eto’o mund t’i ofrojë Chelseat kualitet. Për më tepër, nënshkrimi me të do të shkonte kundër politikës transferuese që Chelsea ka aplikuar së fundi. Klubi ka kërkuar t’i shesë yjet dhe t’i zëvendësojë ata me talente të rinj, të cilët ende nuk e kanë arritur potencialin e tyre të plotë, si Mata dhe Hazard.
Shumë pak sulmues kanë arritur ta ruajnë aftësinë për të luajtur në nivel javë pas jave për skuadrat e fuqishme në moshën e Eto’o. Edhe pse ai është një sulmues fantastik, është vështirë ta shohësh atë si sulmuesin më të mirë të cilin Jose Mourinho mund ta transferojë.
Edhe pse Eto’o ende ka sy për gol, statistikat tregojnë se paraqitjet e tij nuk janë të qëndrueshme. Disa statistika madje e kanë nxjerr atë si “sulmuesin më të keq” në ekip te Anzhi këtë sezon.
Romelu Lukaku
E fundit, Chelsea tashmë ka një sulmues të talentuar në klub – Romelu Lukaku. Progresi i tij gjatë huazimit te West Brom ka qenë sensacional dhe fakti se ai ka shënuar plot 17 gola në 35 paraqitje, tregon se ai është i gatshëm për të sfiduar me Chelsean.
Saktësia e tij e goditjeve (66 për qind) dhe shkalla e shndërrimit në gola prej 21.5 për qind janë për t’u lakmuar, plus ai ka krijuar rreth 40 raste për ish-skuadrën e tij sezonin e kaluar.
Si 19-vjeçar ai po tregon një potencial dhe talent premtues dhe mund të bëhet sulmues i klasit. Me Fernando Torres dhe Demba Ba që janë në dyshime nëse mund ta udhëheqin formacionin, Lukaku mund të jetë një sulmues i përkryer për fituesin e Europa League. /Telegrafi/