Site icon Telegrafi

Trashëgimia rome në Prizren ringjallet përmes fotografive, “Terzimahalla” prezantohet si emocion

Ekspozita me fotografi “Dubo: Lidhja e Padukshme”, realizuar nga dyshja Gynesh Veshall dhe Esad Duraki, është hapur të premten mbrëma në Kino Lumbardhi, si kremte e trashëgimisë kulturore të komunitetit rom në Prizren.

Projekti, sipas organizatorëve, është një përpjekje për të mbajtur gjallë kujtimet e një jete që po zbehet, përmes portretizimit të zakoneve dhe momenteve që mbajnë një peshë historike për romët e Prizrenit, raporton Telegrafi.

Publiku është njoftuar me  momentet që lidhin të kaluarën me të tashmen përmes imazheve që përmbledhin ritmet, zakonet dhe emocionet e këtij komuniteti.

Vizitorët në ekspozitë

Gynesh Veshall para të pranishmëve ka shpjeguar frymëzimin që fshihet pas titullit “Dubo”, që sipas saj, për romët nënkupton vendin ku shumë gjenerata kanë pirë ujë nga çezma në lagjen “Terzimahallë”.

“Pika kryesore ku e kemi marrë drejtimin me artistin Esad Duraki ka qenë kur ai tha se ‘uji është i lëvizshëm ashtu sikurse romët’”, është shprehur Veshall.

Për aktivisten rome, kjo çezmë e vjetër simbolizon një burim që sjellë më shumë se ujë. Ajo ruan kujtime dhe trashëgimi, duke përfaqësuar shpirtin e gjallë të komunitetit rom në Prizren.

“Pikënisja e këtij projekti ka qenë tregimi i lagjes më të vjetër rome, ‘Terzimahallës’. Këtë herë deshëm ta paraqesim ‘Terzimahallën’ si emocion, e jo si objekt, duke treguar të gjitha festat, kulturën, traditën, identitetin përmes fotografive”, ka thënë ajo.

Esad Duraki dhe Gynesh Veshall

Fotografi Esad Duraki ka pohuar se kjo vepër shkon përtej dokumentimit, raporton Telegrafi.

“Për mua, sikurse edhe për romët kjo lagje ka vlerë të madhe sentimentale”, ka thënë ai, teksa ka sqaruar se ka pasur njohuri për shumicën e traditave të “Terzimahallës”.

“Për fat të keq shumica e traditave po zhduken. Për mua është tepër e dhimbshme, sepse kur filluam hulumtimin, kemi pas vështirësi për shkak se nuk ka pas aq shumë dokumentim apo fotografi të vjetra të këtyre aktiviteteve në ‘Terzimahallë’. Prandaj janë disa vepra që pak a shumë e gjeneralizojnë dhe prezantojnë traditën e ‘Terzimahallës’”, ka thënë Duraki.

Ekspozita synon të ruajë dhe mbrojë trashëgiminë kulturore rome duke kultivuar kujtesën e përbashkët dhe identitetin shpirtëror, ku çdo fotografi përshkruan një histori unike, ndërton një urë mes brezave dhe përçon një thirrje për të ruajtur vlerat kulturore.

Ekspozita “Dubo: Lidhja e Padukshme” e mbështetur nga MKRS-ja do të jetë e hapur për dy ditë në Kino Lumbardhi, duke i ftuar vizitorët të bëhen pjesë e kësaj lagjeje të veçantë të Prizrenit dhe traditave të saj. /Telegrafi/

Exit mobile version