Site icon Telegrafi

Trashëgimia kulturore rome në Prizren prezantohet si pasuri e gjallë për brezat e ardhshëm

Aktivistët e shoqërisë civile nga radhët e komunitetit rom në Prizren kanë përmbyllur vitin me vlerësimin e trashëgimisë kulturore rome.

Në këtë organizim është përkujtuar se kultura dhe identiteti janë jo vetëm pasuri, por edhe frymë jetësore.

Për këtë arsye edhe ngjarja është titulluar: “Fryma e trashëgimisë rome: Një mbrëmje mes kujtesës dhe shpirtit”.

Në kuadër të panelit të moderuar nga Fatmir Menekshe, kanë marrë pjesë kontribuuesit e kulturës rome, si Hysni Qylanxhiu, Ramadan Veseli, Xhelal Dogani dhe Titomir Veshall. Gjatë diskutimit, sipas njoftimit, është theksuar rëndësia e trashëgimisë kulturore rome dhe roli i ShKA-së “Durmish Aslano” në ruajtjen e saj, duke kontribuar në mbrojtjen e kujtesës kolektive rome, raporton Telegrafi.

“Diskutimi u fokusua në ruajtjen e memories kolektive dhe rëndësinë e teatrit rom, folklorit dhe muzikës rome si pjesë thelbësore të identitetit dhe kulturës sonë. Shumë nga pjesëmarrësit theksuan se këto aspekte janë të domosdoshme për forcimin e ndërlidhjes mes brezave dhe për ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore”, thuhet në njoftim.

Në këtë ngjarje të mbështetur nga MKRS janë promovuar edhe fotografitë e dokumentimit kulturor, të cilat pritet të pasurojnë arkivin e “Durmish Aslanos” dhe po ashtu të kontribuojnë në prezantimin e historisë për brezat e ardhshëm.

“Ky aktivitet është një hap i rëndësishëm për të siguruar që trashëgimia kulturore rome të mbijetojë dhe të vazhdojë të frymëzojë të rinjtë”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/

Exit mobile version