Site icon Telegrafi

Trajnimet falas të ITI Pro Kosova mundësojnë aftësimin e dhjetëra të rinjve në teknologji informative

Instituti Teknologjia Informative Pro Kosova (ITI Pro Kosova) ka bërë të ditur se dhjetëra pjesëmarrës janë certifikuar në kuadër të trajnimeve aftësuese në programim, databaza dhe dizajn grafik.

Sipas njoftimit trajnimet janë mbajtur nga muaji mars deri në dhjetor të këtij viti, ku gjithsejtë kanë marrë pjesë 78 studentë.

“Falë mbështetjes së kompanive Renelual Tahiri dhe ABI, të gjitha trajnimet ishin falas për pjesëmarrësit. Nga këta studentë, 56 prej tyre kanë arritur të certifikohen në: Programim (C#); Databaza (SQL Server) dhe Dizajn Grafik (Photoshop dhe Corel Draw)”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.

Gjatë trajnimeve, sipas ITI Pro Kosova, studentët kanë zhvilluar projekte praktike, të cilat kanë mundësuar përvetësimin e aftësive profesionale.

“Disa studentë tashmë kanë nisur praktikën profesionale në kompani programuese, ndërsa një grup prej katër studentësh ka marrë iniciativën për të zhvilluar një aplikacion për një organizatë partnere”, thuhet në njoftim.

Aty gjithashtu theksohet se Shkolla e Mesme Ekonomike “Ymer Prizreni” ka qenë partnere e projektit, duke ofruar falas hapësirat e saj për realizimin e trajnimeve.

Në të njëjtën kohë është bërë e ditur se ky projekt do të vazhdojë edhe në vitin 2025 në partneritet me kompaninë “ABI” dhe me mbështetje nga Programi për Angazhim Qytetar në Kosovë, një iniciativë pesëvjeçare e zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)  në partneritet me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), raporton Telegrafi.

Në ngjarjen përmbyllëse të pranishëm kanë qenë Refki Hoxha nga “Renelual Tahiri”, Myvedete Hasani Gavazaj, drejtoresha e shkollës, Afrim Tejeci nga Oda e Ndërmarrësve dhe Zejtarëve të Prizrenit dhe nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi, i cili është zotuar për mbështetjen e projekteve të ITI Pro Kosova gjatë vitit të ardhshëm.

“ITI Pro Kosova mbetet e përkushtuar për fuqizimin e të rinjve dhe për krijimin e mundësive të reja në fushën e teknologjisë informative. Falënderojmë të gjithë partnerët dhe mbështetësit për ndihmën e tyre dhe ftojmë edhe sponsorë të tjerë, vendas dhe ndërkombëtarë, që të bashkëpunojnë në projekte të ardhshme që kontribuojnë për të mirën e komunitetit dhe zhvillimin e rinisë në Kosovë”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/

Exit mobile version