Trajneri i Viktoria Plzen ka zbuluar se ai i ka kërkuar lojtarëve të tij ta ‘shënjestronin’ pikën e dobët të Manchester United në duelin e Ligës së Evropës të enjten.
United fitoi me përmbysje të rezultatit duke u bërë ekipi i parë që prej Barcelonës që mposhti Plzenin në terrenin e tyre, me Rasmus Hojlund që u fut nga banka për të shënuar dy gola.
Për pjesën më të madhe të ndeshjes ishte një përballje me kushte të vështira për Unitedin, të cilët e gjetën veten në disavantazh pas golit të Matej Vydra për 1-0.
Ky gol erdhi pasi Andre Onana u mundua që të luante nga mbrapa dhe e dha topin tek kundërshtari lehtësisht, gabim të cilin vendasit e shfrytëzuan për mrekulli.
Onana për pjesën më të madhe të sezonit ka qenë i besueshëm mes dy shtyllave, por bëri dy gabime të pafalshme në humbjen me rezultat 3-2 ndaj Nottingham Forest.
Dhe trajneri i Plzenit, Miroslav Koubek, një ish-portier, ka pranuar se ai i ka kërkuar lojtarëve të tij që ta kenë objektiv Onanan dhe të godasin portën sa herë të krijohet mundësia.
“Po, kjo ishte taktika jonë. Iu thashë atyre që të godasin nga çdo mundësi që iu ofrohet, ndoshta jam i zhgënjyer me gjuajtjen e fundit, mund të kishte qenë më e mirë, por lojtari vendosi të godasë dhe kjo është ajo që është”, ka thënë Koubek.
‘Djajtë e Kuq’ do të rikthehen në aksion të dielën kur ata do të përballen me rivalin lokal Manchester Cityn në një përballje të madhe në ‘Etihad Stadium’./Telegrafi/