Trajneri i Luton Town, Rob Edwards beson se Luton dhe Bournemouth do të kenë gjithmonë një lidhje të veçantë dhe ka dhënë një përditësim rreth gjendjes së Tom Lockyer pas sulmit në zemër që pësoi.
Lojtarët u larguan nga fusha pasi Lockyer u rrëzua pa ndjenja në fushë në pjesën e dytë të ndeshjes ndaj Bournemouth dhe eventualisht ndeshja u suspendua.
29-vjeçari është pajisur me një defibrilator (ICD), pajisje e njëjtë që i është dhënë edhe Christian Eriksen pas arrestit kardiak në Euro 2020.
Pasi ndeshja u suspendua, të gjithë tifozët në stadium u bën bashkë për të duartrokitur lojtarin. Stafi dhe lojtarët e Lutonit, u rikthyen më pas në fushë të mërzitur, për të duartrokitur shikuesit.
Në një intervistë para ndeshjes me Newcastle, Edwards ka thënë se ka qenë një javë e vështirë për të gjithë.
“Ka qenë një javë e vështirë për secilin. Familja e tij ka qenë shqetësimi ynë kryesor gjatë tërë javës dhe pastaj lojtarët dhe stafi janë prekur shumë nga kjo situatë. Gjithçka që ka rëndësi është se ai e ka tejkaluar këtë dhe tani është në shtëpi. Rikuperimi i tij është gjithçka që na intereson”, ka thënë Edwards.
Në fund, ai nuk la pa i falënderuar edhe lojtarët dhe stafin e Bournemouth.
“Më duhet të them një falënderim për secilin tek Bournemouth, një përshëndetje e veçantë për Philip Biling i cili reagoi shpejtë. Ne do të kemi një lidhje speciale me këtë klub teksa vazhdojmë përpara”, përfundoi ai./Telegrafi/