Telegrafi

Trajneri i Bashkimit, Radovic: Besuam në vetvete, pse të mos e bëjmë edhe një befasi në finale

(Foto: BalkanLeague.net)

KB Bashkimi e ka shokuar nikoqirin e ‘Final Four’, BC Rilski Sportist, duke u kualifikuar në finale të Ligës Ballkanike pas fitores me rezultat të ngushtë 72-71.

Trajneri i ekipit nga Prizreni, Dragan Radovic, është shprehur i kënaqur me triumfin dhe pret një tjetër paraqitje në finale kundër Levski Lukoil.

(Foto: BalkanLeague.net)

“Mund të jem i kënaqur me fitoren, energjinë dhe luftën që bënë lojtarët tanë. Besuam në vetvete dhe po ashtu patëm edhe fat në fund kur një top e vendosi rezultatin”.

Lexo po ashtu Bashkimi kalon në finale të Ligës Ballkanike, takohet me Levski Lukoil

“Dua ta uroj Rilskin për ndeshjen e mirë dhe dua t’i uroj lojtarët e mi për fitoren. Patëm momente të mira dhe të këqija, kishim problem me ndërhyrjet, por mendoj se energjia jonë dhe zemrat e fituan ndeshjen në fund”.

“Është hera e parë që Bashkimi do të luajë për trofeun e Ligës Ballkanike. Levski është një skuadër e mirë me një rotacion të thellë. Do të përpiqemi të çlodhemi dhe të jemi të gatshëm për finalen”.

(Foto: BalkanLeague.net)

“Është e sigurt se do të japim maksimumin dhe nëse besojmë në vetvete, pse të mos e bëjmë edhe një befasi”, ka deklaruar Radovic, citon faqja zyrtare e Ligës Ballkanike.

Levski siguroi finalen duke triumfuar në gjysmëfinalen tjetër kundër Blokotehna-NB (85-81).

Finalja ndërmjet Bashkimit dhe Levski Lukoil zhvillohet të dielën nga ora 18:00. /Telegrafi/