Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, është ndarë i kënaqur me barazimin ndaj Cluj në kuadër të fazës së grupeve të Ligës së Konferencës.
Ndeshja u mbyll 1-1 dhe Daja u nda i kënaqur me atë që treguar lojtarët e tij, duke ia dhënë meritat atyre.
“Kemi pasur përballë një ekip që merr pjesë gati dhjetë vjet si në eliminatore ashtu edhe fazë të grupeve. E kishim kontrollin e lojës në fushë dhe bëmë që ekipi kundërshtar të mos ketë ritmin e lojës”.
“Kishim rastet tona dhe më pëlqeu gjithçka. Jam i kënaqur me ndërtimin e aksioneve nga poshtë, pra nga portieri deri lart. Na mungoi prezenca e kapitenit (Edvin Kuc), pasi ai rrëshqet në zonat që ne dëshironim t’i merrnim”.
“Më vjen keq vetëm për një gjë, që pësuam në momentet e fundit. Ndoshta këtë barazim nuk do ta marrim si humbje të dy pikëve, por si prezantim dinjitoz. Meritat për këtë i kanë lojtarët”, ka thënë Daja.
Daja insiston se Ballkani luajti mirë në debutim dhe këtë duhet ta bëjë edhe kundër rivalëve të tjerë në grup.
“Gjithmonë rezultati shkon paralel me lojën, pasi kemi qenë të kënaqur me lojën. Është më shumë se një barazim dhe duhet të vazhdojmë me këtë ecuri të lojërave të mira, pavarësisht se cilin kundërshtar e kemi.”, ka thënë Daja. /Telegrafi/