Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, ka thënë se skuadra e tij ka bërë një paraqitje shumë të mirë ndaj Zalgirisit të Lituanisë, në përballjen që u mbyll 1-1.
Golin e vetëm për suharekasit e shënoi Nazmi Gripshi në mesin e pjesës së parë.
“Luajtëm për herë të parë në kupat e Evropës dhe morëm barazimin e parë në eliminatoret e Ligës së Kampionëve, me një lojë të shkëlqyer. Kundërshtari ishte i vështirë dhe i disiplinuar taktikisht”.
“Kemi dominuar me raste dhe morëm golin nga një goditje dënimi. T’i krijosh një kundërshtari të tillë me shumë përvojë në Evropë kaq shumë raste, të vjen keq për rezultatin. Djemtë meritonin shumë më tepër me atë që prodhuan në fushën e lojës”.
“Kemi dalë shumë herë para portës. Mbi dy të tretat e kohës kemi qenë në fushën e kundërshtarit. Kemi dominuar edhe në mbajtje të topit edhe në raste”.
“Pasi këtu ishte 50/50, mendoj se edhe kualifikimi në Lituani është 50/50”, ka thënë Daja.
Ndeshja kthyese zhvillohet pas një jave në Lituani. /Telegrafi/