Telegrafi

‘Trajner më inkuadro, jam gati të luaj’ – telefonata inkurajuese e presidentit Biden për skuadrën e SHBA-ve

(Foto: Screenshot/YouTube)

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka telefonuar skuadrës që ndodhet në Kampionatin Botëror në Katar që ta inkurajojë para ndeshjes së parë grupore.

Turneu i madh i futbollit filloi të dielën kur nikoqiri u përball me Ekuadorin, ndërsa sfidën e fitoi skuadra jugamerikane. Të hënën në orar kanë qenë tri sfida, në mesin e tyre edhe ajo ndërmjet SHBA-ve dhe Uellsit.

Trajneri Gregg Berhalter do t’i udhëheqë Shtetet e Bashkuara kundër Uellsit në ndeshjen e tyre hapëse të Grupit B, në të cilën duan të luajnë mirë para testit të madh kundër Anglisë dhe pastaj Iranit që do të vendosë nëse do të arrijnë në fazën e eliminimit direkt.

Dhe për t’i dhënë zemër skuadrës, është kujdesur i pari i SHBA-ve, Joe Biden, duke biseduar me përzgjedhësin, i cili e ka lëshuar që ta dëgjojë i gjithë ekipi.

 

Me të hapur telefonatën, presidenti Biden bëri një shaka duke thënë: “Trajner më futi në lojë, jam gati të luaj”.

“Ju djem, unë e di që nuk jeni favoritë, por do t’ju them se keni disa nga lojtarët më të mirë në botë në ekipin tuaj dhe po përfaqësoni këtë vend dhe unë e di që do të luani me zemër, kështu që le të shkojmë t’i tronditim të gjithë”.

“Vazhdoni t’i besoni njëri-tjetrit, luani sa më fort që të mundeni dhe për ju dhe familjet tuaja, bashkëlojtarët dhe i gjithë vendi është duke ju mbështetur juve”, ka thënë mes tjerash Biden duke shtuar se do të dëshironte të ishte atje për t’i parë.

Berhalter padyshim që ishte i prekur nga ky gjest dhe ia ktheu duke e falënderuar për mesazhin dhe duke ia bërë me dije që e gjithë skuadra po e dëgjonte dhe se e vlerësojnë shumë mbështetjen e tij. /Telegrafi/