Telegrafi

Tradhtia në jetën bashkëshortore

Mr. Sci. Enver Çesko
Qendra Kosovare për Psikoterapi Pozitive
tel. 044 113 376

Hulumtimet më të reja tregojnë se 50 përqind të popullatës amerikane më së paku një herë kanë pasur marrëdhënie seksuale jashtë martesës. Hulumtimet e tyre tregojnë se arsye për një gjë të tillë rrjedh prej natyrës së mashkullit dhe të femrës që ndjejnë nevojën për kërshëri apo ndonjë alternativ tjetër, të marrëdhënieve seksuale jashtë martesës. Në hulumtimet e A. Kinsit dhe bashkëpunëtorëve të vet 12-13 përqind të femrave të martuara kanë pasur marrëdhënie seksuale jashtë martesës, kurse hulumtimet më të reja tregojnë se ky numër është rritur deri më 40 përqind.

Hulumtimet tona të bëra në mesin tonë (E. Çesko, 1985, 1986), tregojnë se lidhja jashtëmartesore është bërë dukuri kureshtare. Sot, në jetën me aq strese dhe nxitje për arritje të mëdha, është vështirë të gjendet personi, që së paku një herë nuk ka tentua të tradhtoj bashkëshortin. Bashkëshortët e sodit, në qëndrimet e tyre për besnikërinë bashkëshortore janë shumë më tolerant se kurdoherë më parë. Një gjë të tillë na tregojnë rezultatet e hulumtimit, se 65,86 përqind të bashkëshortëve (prej tyre 70,70 përqind të meshkujve dhe 83,17 përqind të femrave të martuara), deklarojnë se "varësisht prej situatës tradhtia e njërit prej bashkëshortëve duhet të kuptohet dhe të arsyetohet".
Se "tradhtia" në martesë është dukuri normale, prandaj edhe nuk duhet kuptuar tragjike", theksojnë 63,11 përqind të bashkëshortëve dhe 71,16 përqind të bashkëshorteve. Mendimet e respondentëve dëshmojnë, që 54.82 përqind të bashkëshorteve dhe 48,50 përqind të bashkëshortëve, tradhtojnë ose i kanë tradhtuar bashkëshortët e tyre në jetën martesore.

Në shumtën e rasteve, arsye më e shpeshtë e tradhtisë në jetën bashkëshortore është motivacioni i frikës për të pranuar jetën bashkëshortore me stilin e njëjtë të jetës. Bashkëshortët, që janë preokupuar me problemet seksuale, nuk mund të kenë suksese në komunikimin e përbashkët për evitimin e problemeve. Prandaj një gjendje e tillë na bien deri te ajo që shumica e çifteve bashkëshortor të bëjnë pyetje vetvetes, "A është krejt kjo që do të kem në jetë? A do të kaloj edhe 30 apo 40 vite me këtë person pa kënaqësi, pa lumturi dhe pa fat? " Përgjigja në këtë pyetje na shpie deri te tradhtia.

Psikologu amerikan Xhon Gejli, më shumë se pesëdhjetë vjet është duke u marrë me problemet e tradhtisë së bashkëshortëve. Në studimin e tij, shihet se detyra e tij nuk është që të caktoj, mesataren se sa femra bëjnë tradhti, por përse e bëjnë atë. Sipas mendimit të tij, tradhtia e femrave dhe të meshkujve bëhet me arsyetimin e nevojës erotike, materiale dhe nevoja psikologjike.
Psikologu Gejli thekson se tradhtia e femrës dhe e mashkullit dallohen mes veti. Tradhtia që lajmërohet te femrat dhe meshkujt, Gejli arsyeton në këtë mënyrë:
Meshkujt bëjnë tradhti sepse dëshirojnë partnerin që dallohet prej bashkëshortes së tij. Femra nuk kërkon të ketë dashuri me mashkullin që dallohet prej bashkëshortit të saj, ajo në tradhti kërkon "diç" që nuk mundet të gjej në martesën e saj. Për të fituar at "diç", ajo pajtohet që të ketë dashuri me partnerin e ri.
Në këtë mënyrë bashkëshorti kërkon femrën që nuk është e tij e që me te do të ketë dashuri. Për këtë arsye ai ndaj saj shpreh dashurin e "fshehur" duke e blerë dhurata të çmueshme apo duke ndihmuar materialisht. Ai në këtë mënyrë është në gjendje të sakrifikoj çdo gjë deri sa të vij te qëllimi i caktuar: të ketë dashuri fizike me atë femër.
Në anën tjetër bashkëshortja, gati asnjëherë në tradhti nuk kërkon vetëm marrëdhënie seksuale, por ajo tenton të ketë diçka të ‘ndryshme’. Por nëse vjen deri te marrëdhënia seksuale jashtëmartesore, atëherë ajo ndodh për arsye se atë "diç’ që e dëshiron ai, ajo mund të japi. Në të shumtën e rasteve marrëdhëniet seksuale për femrën paraqesin vetëm mjet për arritjen e qëllimit që në të vërtete kërkon.

Është me rëndësi të ceket se paraqitja e dashurisë, gjegjësisht ndikimi i dashurisë në tradhti është fare pak prezent, e në shumtën e rasteve aspak nuk është e lajmëruar. Hulumtimet e bëra tregojnë se tradhtia paraqitet me arsye se personi ka ndonjë nevojë gjegjësisht motiv për të ‘’shijuar’ në mënyrë që të plotësohet e njëjta. Pasi të realizohet nevoja (pasi të kryhet marrëdhënia seksuale), atëherë mund të lind dashuria. Sepse, deri te dashuria (nëse vjen), vjen pasi që tradhtia ka filluar, gjegjësisht atëherë kur vjen deri te marrëdhënia seksuale.

Hulumtimet e seksologëve, psikiatërve dhe psikologëve tregojnë se ekzistojnë dy lloje të tradhtisë. E para është tradhtia e dëshiruar, që bëhet me vet qëllimin e njërit prej bashkëshortëve dhe e dyta është tradhtia e pa dëshiruar që bëhet pa qëllimin e çifteve bashkëshortorë.
Tradhtia e paqëllimshme krahasohet me fatkeqësinë në komunikacion, kur fatkeqësia ndodh pa dëshirën tonë, pra kur ndodh pa vullnetin dhe planifikimin e më parë dhe kur nuk mund ose ‘dojmë’ të rezistojmë apo refuzojmë një ‘ofertë’ nga gjinia e kundërt. Ky lloj i tradhtisë ndodh në ato situata kur çifti bashkëshortor pa përgatiture dhe papritmas ndeshet me personin e kundërt. Kjo është njëra prej aspekteve të shumta që shumica e grave të martuara nuk i kushtojnë kujdes të duhur, jetës së tyre bashkëshortore dhe raporteve në jetën e tyre. Ky lloj i tradhtisë mund të ekzistoj, e të mos vjen deri te shkurorëzimi apo kriza bashkëshortore, nëse në mes çifteve bashkëshortor ka mirëkuptim dhe dëshirë për të tejkaluar krizën dhe gjetjen e aftësive të përbashkëta drejtë gjetjes së kompromisi. Kështu për shembull, në qoftë se njëri prej çifteve ka tradhtuar bashkëshortin, problemi i tyre duhet të zgjidhet në atë mënyrë që i tërë akti i vepruesit duhet të vlerësohet në masat e sjelljes së tij të përgjithshëm. Nëse vlerësohet se marrëdhëniet e tyre në përgjithësi janë të mira, kishte me qenë jo e logjikshme që për një rast krejtësisht e thjesht dhe jo me rëndësi të madhe të shkatërrohet gjendja. Mirëpo, nëse vlerësohet se ajo do të ketë pasoja të rënda në vazhdim të jetës bashkëshortore, atëherë më mirë është që çdo njëri prej tyre të shkoj rrugës së vet.
Tradhtia e dëshiruar, është kur njeri prej çifteve për arsye ekzistuese dëshiron të "hy" në aventura të ndryshme. Në këto raste shumica e femrave thonë, "kam gjetur te ai at; që burri im nuk ka, diç që për së tepërmi më tërheq. Mirëpo, prapë se prapë burri im ka kualitete të veçanta dhe unë nuk dëshirojë të çrregulloj martesën tonë". Në këto raste bashkëshortja çmon kualitetet dhe cilësitë e bashkëshortit, por ai për shkak të obligimeve profesionale dhe të karrierës, gati po thuaj nuk ka kohë për jetë emocionale dhe shpirtërore të përbashkët që kanë pasur para dy tri viteve të jetës së përbashkët. Kështu, në jetën e femrës hapet një zbrazëti shpirtërore që tentohet të plotësohet me ndjenjat emocionale. Në këto raste bashkëshorti nuk duhet të harroj se femra më tepër se mashkulli ka prirje për represion seksual. Kur represioni kalon limitin e vet, atëherë vjen deri te eksplodimi. Deri te ky lloj represioni vjen, kur bashkëshorti apo bashkëshortja nuk mund të gjejnë kënaqësinë në marrëdhëniet seksuale. Mirëpo, ndodh që represioni të lajmërohet kur bashkëshorti apo bashkëshortja janë idealist, gjegjësisht kur të dy çiftet kanë pritur që martesa e tyre të jetë bashkëkohore dhe ideale pa kurrfarë problemi dhe në këtë mënyrë nuk kanë qenë të përgatitur për ndonjë mundësi të lajmërimit të tradhtisë. Në këto raste shpesh çiftet theksojnë, "Si është mundur që të ndodh një gjë e tillë"? Ndodhë që në këto raste bashkëshorti idealist të bëjë vrasje më parë bashkëshorten e pastaj edhe veten, duke e paraqitur paaftësinë e vet për të pranuar ofendimin e unit të vet. Një lloj i martesës së tillë mbështetet në narcizëm dhe egoizëm mashkullor.

Motivet e tradhtisë së dëshiruar mund të ndahen në tri kategori. Në kategorinë e parë, bëjnë pjesë tradhtia vetëm për kënaqësi, pra seksi për seks, për ndryshime, tradhtia vetëm me qëllim të fitimit të përvojës seksuale, gjegjësisht motivi kureshtar. Këtë kategori të tradhtisë hasim më tepër te meshkujt se sa femrat.
Në kategorinë e dytë të tradhtisë, janë tentimet e personave për të liruar nga ndonjë lidhje ekzistuese të dashurisë. Kështu p.sh. shumica e femrave të pakënaqura shpesh përgatisin martesën tjetër edhe pse ende kënaqen në sigurinë e martesës së parë. Konfliktet e tyre në martesë bëhen shpesh të pa duruara, sa që nuk tentojnë të gjejnë zgjidhje, por mundohen të gjejnë rrugë alternative, në formë të ikjes nga aktualja, duke shkaktuar konflikte të brendshme, që mund të kenë pasoja më të rënda si në planin personal ashtu edhe në atë midis partnerëve.
Dhe në grupin e tretë të tradhtisë bëjnë pjesë tradhtia që bëhet prej inatit, hakmarrjes, sadizmit apo për të treguar efikasitetin e seksualitetit personal. Kjo formë e tradhtisë, paraqitet zakonisht te njerëzit me një strukturë emocionalisht jo stabile dhe personat që kanë një jetë jo mirë të harmonizuar ose traumatike.

Nëse gjatë jetës bashkëshortore lajmërohen elementet e tradhtisë, me rëndësi të madhe është se çiftet bashkëshortor më parë duhet të jenë gjakftohtë, dhe të jenë të arsyeshëm, si në reagime ashtu edhe në vendim marrje. Së pari të dy çiftet duhet haptas të bisedojnë për mënyrën e bërjes së tradhtisë. Pastaj duhet të konstatohet, se tradhtia që është bërë a ka qenë dëshiruar apo e padëshiruar dhe nëse ka qenë e dëshiruar të bisedohet haptas për atë se çka ka shtyrë të bëhet një veprim i tillë, dhe në fund kur të konsiderohet natyra dhe arsye e tradhtisë, duhet të vlerësohet ardhmëria e marrëdhënieve në jetën bashkëshortore të mëtejmë.
Me rëndësi është, të bisedohet ‘çka’ ka ndikuar në bërjen e një veprimi të pa dëshiruar, se të akuzohet ‘pse’ është bërë një veprim. Tradhtia si koncept psiko-seksual nuk ekziston, sepse çdo njeri potencialisht është i aftë të tradhtoj jo vetëm partnerin, por edhe veten, në çdo moment. Prandaj, kur flitet për tradhtinë, duhet kuptuar, se tradhtia mund të jetë fizike ose psikike (mendore). Mund të ketë persona që asnjëherë në jetën e tyre nuk kanë tradhtuar partnerin, por nuk ka persona që së paku një herë nuk ka menduar se si një njeri është më i mirë fizikisht apo psikologjike se personi i dashur.

Nuk duhet, harruar se, tradhtia vjen nëse diçka na mungon, ose kërkesat tona nuk janë të harmonizuara me dëshirat, mundësit dhe realiteti. Në praktikën profesionale, si terapist, shpesh hasim në raste kur njerëzit e martuar, të lodhur nga martesa e tyre, kërkojnë ndihmë terapeutike. Monotonia ka mbërthyer jetën e tyre të përditshme, dhe kjo monotoni shkakton pothuaj çdo gjë, edhe bisedat rreth intimitetit dhe seksualitetit bëhen rutinë. Pothuaj te çdo çift, të dy partnerët, reagojnë me depresion dhe dëshpërim, kur jeta e tyre bëhet monotone. Nisur nga fakti që marrëdhënia është problematike, konkludohet që ata të dy asgjë nuk bëjnë për njëri-tjetrin. S`ka asgjë që mund t`i thuash personit tjetër, sepse nga fakti se shumë tërhiqet nga çfarë do mundësie e kontaktit, ai duket sikur nuk merr parasysh gjë tjetër përveç zhgënjimit dhe boshllëkut.
Në situata të tilla, dialogu i zhvilluar me një paciente femër 43 vjeçare, e cila ankohet për mungesën e bashkëbisedimit dhe monotonisë në martesën e saj, ashtu dhe për mungesën e kreativitetit dhe përgjegjësive të cilat vinin nga vetë ajo. E pyetur, ‘se çfarë do kishte bërë po të kishte një bimë të bukur të mbjellë në një saksi? Dhe , ‘si do kujdesej për këtë bimë?
Pacienti tundi kokën me habi sikur të mos mund të kuptonte se ç`lidhje kishte kjo pyetje me martesën e saj.” Po të kisha një lule të tillë, do e ujisja atë në orare të rregullta.” Pacientja i donte shumë lulet, dhe i shtoi pyetjes edhe disa mendime të tjera.”Pas gjashtë muajsh apo një viti do i`a zëvendësoja vazon asaj me një tjetër. Pasi t`i shtoj kimikatet e nevojshme, do e vendosja në një vend të mirë ndriçuar.”
Në këtë pikë, unë e ndërpreva pacienten dhe e pyeta,”E çfarë bën me martesën tënde?”
Kjo pyetje tronditi gruan. Vura re që ajo kuptoi papërshtatshmërinë ndërmjet kujdesit intensiv ndaj dashurisë që do i jepte lules dhe mënyrës sesi ajo trajtonte martesën e saj. Duke menduar rreth saj, ajo tha,”Nëse martesa ime do ishte një lule, unë do isha tharë e kalbur kohë më parë.” Pacientja filloi të transferojë imazhin e lules tek martesa e saj. Ajo shtoi,”Nëse ne do kishim bërë diçka më tepër për njëri-tjetrin, ndoshta edhe vetëm një shkëmbim komplimentesh ose të merrnim në konsideratë vlerat e njëri-tjetrit, kjo do kishte qenë uji për martesën tonë.”
Për një kohë të gjatë, ajo thjesht ulej dhe mendonte.”Në fakt, e kam neglizhuar veten shumë kohët e fundit. Duhet ta pranoj, një fustan i ri, një model i ri flokësh ose make-up nuk kanë qenë interesi im për një kohë të gjatë. Për të qenë e sinqertë, unë thjesht nuk e kisha dëshirën që të bëhesha e bukur për tim shoq. E njëjta gjë është e mundur që të jetë e vërtetë për të. Diçka e tillë mund të jetë ushqyes për martesën time.”

Përvoja e pacientes, tregon për rëndësinë e ndryshime që duhet bërë në jetën partnerore. Shikuar nga aspekti psikologjik mashkulli ka më tepër tendenca për të bërë tradhti. Ky dallim i tradhtisë në mes të mashkullit dhe të femrës arsyetohet nga fakti se mashkulli nuk është qenie monogame. Në të shumtën e rasteve të martesave, njohja e tradhtisë, ngacmon vuajtjen dhe xhelozin në mesin bashkëshortor. Femrat janë të edukuar në atë mënyrë që mendojnë se martesa e tyre është e përcaktuar me fatin, bile edhe nga varshmëria e bashkëshortit. Kjo varshmëri, e femrës prej bashkëshortit mundëson që te ajo të lajmërohet ndjenja posesive, ku lidhja jashtëmartesore, që deri më atë kohë ka qenë në fshehtësi, tani bie në shesh dhe ajo gjendje çrregullohet e në disa raste mund të vjen deri te shkurorëzimi. Kjo ndodh në ato raste kur çifti i tradhtuar është person jo stabil dhe nuk ka besim të duhur apo në mënyrë të pakushtëzuar beson se martesa patjetër duhet të jetë monogame, prandaj edhe tradhtia e mundon për së tepërmi.

Ndonjëherë tradhtia bashkëshortore paraqet anën pozitive në marrëdhëniet bashkëshortore. Nëse njëri prej çifteve ka epshin e fortë seksual, ku çifti tjetër nuk mund të parashtrohet ndjenjave dhe epsheve të tij për arsye të inhibicioneve të ndryshme seksuale, tërhiqet nga ajo që bashkëshortit të krijoj liri për plotësimin e ndjenjave emocionale. Prandaj partneri mund të pajtohet me atë që çifti të jetë diskret. Në disa martesa, bashkëshorti që nuk ushqen ndjenjën për ndjenja intime apo afërsinë emocionale te partneri mund të bie deri te liria e plotë seksuale.
/Telegrafi/