Telegrafi

Tottenhami nuk zhvillon seancë stërvitore në Shkup para ndeshjes ndaj Shkëndijës

(Foto: Will Oliver/Pool via Getty Images/Guliver)

Në fazën e tretë kualifikuese të Ligës së Evropës, Shkëndija luan përballë ekipit të njohur anglez, Tottenham Hotspur.

Ndeshja zhvillohet të enjten (24 shtator) në Shkup, ndërsa një ditë më herët skuadra tetovare do të mbajë një konferencë për shtyp në hapësirat e stadiumit ‘Todor Proeski’, ku do të marrin pjesë trajneri Ernest Gjoka dhe kapiteni Egzon Bejtullai.

Ndërkohë, në njoftimin e publikuar nga KF Shkëndija, bëhet e ditur se ekipi kundërshtar nuk do të organizojë as konferencë për shtyp e as seancë stërvitore para ndeshjes në Shkup.

(Foto: Michael Regan/Getty Images/Guliver)

“Nga skuadra angleze kanë njoftuar se në Shkup nuk do të zhvillojnë seancën e paraparë stërvitore para ndeshjes, e si rrjedhojë nuk do të mbajnë as konferencë për shtyp”, thuhet në njoftim.

Lexo po ashtu Udhëtuan, panë dhe fituan në Rumani – Shkëndija kalon në rrethin e tretë të Ligës së Evropës

Për të arritur në raundin e tretë kualifikues, Shkëndija eliminoi ekipin rumun Botosani, kurse Tottenhami triumfoi përballë bullgarëve të Lokomotiv Plovdiv. /Telegrafi/