Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj këtë të diele ka publikuar një video me pamje nga Xhamia e Sinan Pashës.
Me këtë rast ka uruar agjërim të lehtë për besimtarët myslimanë.
“Përshëndetje të ngrohta për të gjithë, veçanërisht për agjëruesit, duke ju uruar një agjërim të lehtë e të pranuar! Nga Xhamia e Madhe e Sinan Pashës, një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë sonë fetare e kulturore, ju sjellim këto pamje të veçanta në këtë muaj të shenjtë të Ramazanit”, ka shkruar ai, raporton Telegrafi.
Tutje ka theksuar se ky monument ka arkitekturë madhështore.
“Me arkitekturën e saj madhështore dhe praninë në zemër të qytetit, kjo xhami mbetet një simbol i historisë dhe harmonisë që e karakterizon Prizrenin. Ju uroj një të diel të qetë dhe të mbushur me paqe!”, është shprehur Totaj në rrjetet sociale.
Sipas të dhënave në Databazën e Trashëgimisë Kulturore, kjo xhami që ndodhet në Qendrën Historike të Prizrenit është ndërtuar në vitin 1615 nga ana e Sofi Sinan Pashës.
Aty nënvizohet se me pozitën e saj dominuese, dimensionet, formën, proporcionin e minares ndaj kupolës, materialet dhe teknikën e ndërtimit, dekorimet e pasura në enterier, Xhamia e Sinan Pashës paraqet njërin prej monumenteve më karakteristike të Prizrenit. /Telegrafi/