Site icon Telegrafi

Totaj njofton se pas intervenimit të KFOR-it është shuar zjarri në Prevallë

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ka njoftuar se si rezultat i intervenimit të KFOR-it nga ajri është shuar zjarri në Prevallë. Sipas tij, aktualisht nuk duket se ka shenja që të përsëritet gjendja  e njëjtë me zjarret në këtë zonë.

Totaj ka bërë të ditur se si rezultat i përcjelljes së gjendjes së krijuar me në Prevallë dhe pas konsultimeve me të gjithë akterët, përfshirë edhe KFOR-in, është vlerësuar se për ta evituar rrezikun e përhapjes së mëtutjeshme të zjarrit duhet intervenuar nga ajri, raporton Telegrafi.

“KFOR-i edhe një herë e ri konfirmoi përkushtimin për t’u gjetur aty kur rrezikohet prona dhe jeta e banorëve në Kosovë. Gjatë intervenimit nga ajri, nga ana e KFOR-it, me anë të helikopterëve është hedhur ujë, ndërsa, zjarri është shuar dhe nuk duket se ka shenja se mund të përsëritet gjendja e njëjtë”, ka njoftuar Totaj në rrjetet sociale.

Sipas tij, pavarësisht këtij zhvillimi, bashkë me të gjithë akterët relevant në terren po monitorohet situata në Prevallë.

Në të njëjtën kohë ka shprehur mirënjohje për KFOR-in dhe gjithë akterëve që kanë kontribuar për menaxhimin dhe shuarjen e zjarrit, përfshirë DES-in dhe zjarrfikësit. /Telegrafi/

Exit mobile version