Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, të mërkurën, ka takuar Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav. Në këtë takim sipas njoftimit të Komunës së Prizrenit është diskutuar për partneritetin e ndërsjellë dhe aktualitetin politik të Kosovës.
“Kryetari Shaqir Totaj priti sot Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasadorin Aivo Orav, me ç’rast zhvilluan bisedë miqësore, ku Kryetari Totaj e njoftoi Ambasadorin për karakteristikat e qytetit tonë, funksionimin e qeverisjes lokale dhe diskutuan për tema të aktualitetit politik në vend”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.
Sipas kësaj komunikate, Orav ka pohuar mbështetjen zhvillimin e Kosovës dhe përparimin e saj në rrugën e integrimit evropian.
“Ambasadori Orav theksoi se Bashkimi Evropian, si donatori kryesor në Kosovë, do të vazhdojë të mbështesë procese të rëndësishme që ndikojnë në zhvillimin e Kosovës dhe përparimin e saj në rrugën e integrimit evropian”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.
Pas takimit, kryetari Totaj dhe ambasadori Orav kanë realizuar një shëtitje në Qendrën Historike të Prizrenit, duke vizituar disa nga pikat kryesore të trashëgimisë kulturore dhe Muzeun e sapohapur të Nënës Terezë. /Telegrafi/