Sezoni i Sandro Tonalit ka përfunduar zyrtarisht pasi FIFA ratifikoi dënimin me 10 muaj që i ishte dhënë nga Federata Italiane e Futbollit.
Mesfushori 23-vjeçar italian pranoi para prokurorëve se kishte vënë baste për ndeshjet e futbollit gjatë hetimit të tyre. Ai u mor në pyetje nga policia në Coverciano në fillim të këtij muaji dhe shkalla e varësisë së tij nga bixhozi u zbulua shpejt.
Marrëveshja për pranimin e fajësisë së Tonalit përfshin një pezullim 10-mujor nga futbolli, tetë muaj të tjerë punë rehabilituese dhe 16 paraqitje publike në lidhje me dënimin, duke edukuar të rinjtë për këtë çështje.
Dënimi i tij fillimisht vlente vetëm për Italinë dhe ata i dërguan një kërkesë FIFA-s duke kërkuar që të hynte në fuqi një ndalim në mbarë botën, gjë që u konfirmua zyrtarisht sot.
Tonali tani do të jetë jashtë fushës deri në gusht të vitit të ardhshëm, duke përfunduar sezonin e tij me Newcastle United dhe duke konfirmuar mungesën e tij në Euro 2024 nëse Italia kualifikohet.
Ndërkohë, Nicolo Fagioli i Juventusit ka filluar dënimin e tij prej shtatë muajsh, ndërsa Nicolo Zaniolo i Aston Villas përsëriti se ai nuk kishte vënë baste për ndeshje futbolli kur foli me prokurorët në Torino sot./Telegrafi/