Site icon Telegrafi

TOKAT E BLERUARA

Ilustrim

Poezi nga: Vincenzo Rossi
Përktheu: Maks Rakipaj

Lere botën e naftës dhe mashtrimit
të gjeometrive të rreme të hekur-betonit
kthehu fshatit e bimëve mjeksore
frymës së kaut dhe qëngjit
këngës së bretkosave
që tokat e etura lajmërojnë për shiun.

Eja me mua të kërkojmë
ndër këto toka të bleruara
rrënjët tona të thella
sigurinë e bëmave të lashta
hapat e lehtë dhe frymëmarrjen e gjethes
thjeshtësinë lakuriqe të gurëve.

Jo më psherëtima ikjesh të largëta
që zemrat na helmuan
por ëmbëlsi mendimesh të thjeshta
dhe kundërmim i bukës së sapodalë nga furra
pranë vatrës së vjetër prej guri.

Netëve të ftohta dhe hënave të ngrohta
të dëgjojmë qenin
teksa nuhat endacakun
mban vesh e pastaj leh.

Exit mobile version