“Michael na mungon! Ai është ende duke luftuar me vdekjen”.
Kështu e kujton presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA), Jean Todt, dikur drejtor i përgjithshëm i Ferrarit, legjendën gjermane të skuderisë nga Maranello.
Todt ka qenë pjesëmarrës në përurimin e “Hollit të Famës” të FIA-s në Paris, ku edhe ka folur për revistën e njohur “Autosport”.
Presidenti aktual i FIA-s nuk mund t’i shmangej fjalëve për Michael Schumacher, me të cilin ka fituar gjithçka gjatë viteve të kaluara së bashku te “kokëkuqja”.
Piloti gjerman pësoi një incident të rëndë teksa bënte ski në Alpet e Zvicrës në vitin 2013, e prej atëherë vijon të luftojë, por sipas raporteve më të fundit ka pasur vetëm një rikuperim të lehtë.
Todt flet me dhimbje për atë që i ndodhi legjendës së Ferrarit. “Michael ka qenë dhe është një njeri special, jo vetëm për mua, por edhe për botën e automobilizmit në tërësi. Është një mik i vërtetë, i cili po lufton ende për t’u rikthyer në jetë”.
Ai rrëfen edhe një anektodë për kohën kur të dy ishin te Ferrari. “Ishim shumë pranë nisjes së Botërorit të vitit 2001, kur Michaeli i ndrojtur, edhe pse ishte kampion bote në fuqi, më erdhi e më kërkoi: A do të më lejosh të zhvilloj testimet në Fiorano për t’u siguruar se jam ende në gjendje të garoj?. Kishte gjithmonë dyshimet e tij, nëse ishte vërtet një pilot i mirë apo jo. Kjo besoj se tregon thjeshtësinë dhe qetësinë që e karakterizonte gjermanin, sigurisht edhe mungesën totale të arrogancës”, kujton Todt. /TCh/