Telegrafi

Tjetër ndeshje, tjetër gabim fatal – Andre Onana përsëri fytyra tragjike e Manchester Unitedit

Andre Onana është bërë sërish fytyra tragjike e Manchester United duke bërë një tjetër gabim fatal, kësaj radhe ndaj Burnleyt.

Ishte kjo hera e dytë që një gabim i Onanas i kushton me gol ‘Djajve të Kuq’, pasi paraprakisht në mesjavë në duelin ndaj Sheffield United, kamerunasi pasoi topin drejt Jayden Bogle, i cili më pas shënoi gol për mysafirët.

Ai tashmë ka bërë një tjetër gabim këtë të shtunë në ‘Old Trafford’ ndaj Burnleyt, duke ia pamundësuar ekipit të tij që të dal me pikë të plota nga ky takim.

Onana doli për të grushtuar topin në një moment krejtësisht të gabuar, duke goditur kështu në fytyrë lojtarin kundërshtar Zeki Amdouni.

Kjo nuk ishte hera e parë që ish-portieri i Interit bën një gabim të tillë, pasi një incident i ngjashëm kishte ndodhur edhe ndaj Wolvesit në javën e parë, ku edhe aty gjyqtari nuk hezitoi që të akordonte penallti.

Antony i dha avantazhin Unitedit me golin e tij të parë këtë sezon në Ligën Premier, por ‘Djajtë e Kuq’ u desh të pajtoheshin me një pikë (2-2) ndaj Burnleyt të Aro Muric.

Manchester United gjendet në pozitën e gjashtë në Ligën Premier me 54 pikë të grumbulluara pas 34 ndeshjeve të luajtura./Telegrafi/