Telegrafi

Tjetër goditje për Florent Muslijën pas përjashtimi nga Kosova

Florent Muslija, futbollisti që luan në Bundesligën e Gjermanisë te skuadra e Freiburgut, ka marrë një tjetër goditje pas përjashtimit nga grumbullimi me Përfaqësuesen e Kosovës.

Trajneri i Freiburgut, Julian Schuster nuk e ka ftuar Muslijën për ndeshjen e fundjavës kundër Bochumit.

Gjatë konferencës për media, Schuster ka lidhur mungesën e Muslijën me ngjarjet e fundit te Kosova.

“Është e rëndësishme të jesh përgjegjës për gabimet e tua”, deklaroi ndër të tjera Julian Schuster.

Kujtojmë se Muslija, së bashku me Edon Zhegrovën dhe Arijanet Muric, u përjashtuan nga trajneri i Kosovës, Franco Foda, pasi kishin thyer rregullat e grumbullimit duke vizituar lokalet e kryeqytetit dhe nuk ishin kthyer në hotel deri në orët e vona.

Muslija ishte i vetmi që pranoi gabimin, duke thënë se nuk do të përsëritej më nga ana e tij. /Telegrafi/