Telegrafi

Tivari, si Monako

Financierët britanikë po mbështesin zhvillimin e infrastrukturës së portit ballkanik. Rrugët po shkermoqën dhe furnizimi me ujë nuk është shumë i mirë, por investitorët britanikë nuk po pyesin për rrezikun. Mirë se erdhët në Tivar, i cili po përshkruhet si Monako e Ballkanit, shkruan Matthew Campbell për Sunday Times.

Mund të mos ketë modelin e Kanës, por sipërmarrësit kanë plane të mëdha për Tivarin, një port i braktisur dhe një bazë detare e ish-Jugosllavisë në ish-shtetin e vogël komunist të Malit te Zi.

Një grup investitorësh të profilit të lartë, duke përfshirë Lord Rothschild, financierin dhe mikun e Princit të Uellsit, dhe djali i tij Nat, po e shndërrojnë atë që ishte një kantier detar në një marine për jahtet e mëdhenj dhe njerëzit e famshëm.

Shpresohet që Porto Montenegro, ashtu siç do ta ketë emrin, do të bëhet një magnet për pronarët e jahteve super të mëdhenj që kalojnë nëpër Mesdhe.

Projekti 200 milionë paund ishte një ide e Peter Munk, një kanadez i vjetër 80 vjeçar, i cili është në krye të kompanisë gjigante të minierave Barrick Gold. Investitorë të tjerë përfshijnë Bernard Arnault, manjatin francez të mallrave të luksit, dhe Oleg Deripaska, miliarderin rus të minierave.

“Do të bëhet një Monako e Adriatikut, duke e vënë këtë vend të vogël në hartë për brezat që do të vijnë,” tha Munk, duke theksuar se Monako ishte dikur po aq mbrapa sa Mali i Zi, ku të ardhurat për frymë janë 2,000 paund.

Logjika e planit të tij të biznesit është e thjeshte: numri i jahteve të mëdha që po ndërtohen është me shumë së trefishuar gjatë dekadës së fundit, teksa miliarderët e rinj – veçanërisht rusët –kane investuar në to si një simbol i statusit, ndërsa portet që janë në gjendje t’u shërbejnë atyre janë tepër të mbushur.
“Anijet po bëhen gjithnjë e më të mëdha,” thotë Munk.

“Dhe njerëzit po ankohen se ata nuk po arrijnë të gjejnë vende të përshtatshme ankorimi për anijet e tyre. Ky nuk është një problem për Tivarin. Dikur ai mbante dhe anije lufte.”

Porti do të ofrojë ankorim për deri në 800 jahte, po ashtu dhe vende parkimi, hotele, restorante dhe dyqane. Projekti synon ndërtimin e 1,000 apartamenteve. Nga ana e depove të vjetra, kompania Four Seasons po ndërton kompleksin e parë mesdhetar, që do të hapet në vitin 2010.

Sipërmarrësit po negociojnë me operatoret e kazinove. Mali i Zi po u ofron klientëve të tij nxitës të shumtë taksorë: taksa e të ardhurave po reduktohet në 9% dhe nuk ka taksë mbi fitimet kapitale. Taksa e korporatave është vetëm 9%.
Një përparësi e madhe pa dyshim është natyra.

Bregdeti, ku kodra të gjelbra bien mbi ujin e kulluar, është një nga më spektakolarët në Mesdhe, dhe është quajtur nga Lordi Bajron si “takimi më i bukur midis tokës dhe detit”.

Michael Douglas dhe Catherine Zeta-Jones janë parë kohët e fundit duke kërkuar për shtëpi në Malin e Zi. Po kështu dhe Venus dhe Serena Williams, lojtari i tenisit si dhe Michael Schumacher, ish-piloti i formula 1.

Rusi Roman Abramovich, pronar i klubit te Çelsit, sipas disa lajmeve është në diskutime për të blerë një plazh prej 8 miljesh për të ndërtuar një resort turistik luksoz. Ndërsa arabet e pasur po shfaqen me jahtet e tyre në bregdet.

Një problem është infrastruktura e papërshtatshme. “Njerëzit janë miqësorë, ushqimi është i shkëlqyer dhe bregdeti është i mrekullueshëm,” tha Stane Zivanovic, që drejton një agjenci pasurish të paluajtshme, “Por nuk kishte ujë të vazhdueshëm në shtëpinë time dhe dritat iknin shpesh.” Gjërat pritet të përmirësohen: si pjesë të projektit të Tivarit, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Botërore po derdhin para për përmirësimin e rrugëve, kanalizimeve, hekurudhave dhe aeroportit".

Munk kujton vizitën e tij të parë në Mal të Zi një dekade më parë: “Nuk mund të blija as një policë sigurimi, sepse po bombardonin.” Ai u be mik i Milo Djukanovic, Kryeministrit. “Ai më tha, ‘pasuria jonë më e madhe është bregdeti. Unë mund ta kthej në një Monako të Adriatikut’.”