Telegrafi

Tifozët e Lazios në protesta, dalin kundër dyshes Tare-Lotito

Ka përfunduar tregu i transferimeve në Evropë, ku disa skuadra kanë qenë mjaftë aktive, por disa të tjera nuk kanë blerë thuajse asgjë.

Skuadra italiane Lazio e ka mbyllur tregun e transferimeve me vetëm një blerje dhe ajo ishte në minutat e fundit.

Sulmuesi afrikan Jovane Cabral ishte afrimi i vetëm i Biancocelestëve në afatin kalimtar të janarit.

23-vjeçari iu bashkua Lazios nga gjiganti portugez Sporting Lisbona si huazim për gjashtë muaj.

E afrimet e pakta nuk i kanë pëlqyer aspak tifozëve lacial të cilët kanë dalë në protestë kundër presidentit Claudio Lotito dhe drejtorit sportiv, shqiptarit Igli Tare.

“Një tjetër merkato mediokre, Lotito nuk je i denjë për këtë klub”, ishte parulla kryesore e tifozëve lacial.

Tifozët ishin të pranishëm në qendrën stërvitore ku protestuan duke kënduar kundër dyshes Lotito-Tare.

Lazio këtë javë takohet me Fiorentinën dhe synon fitore që të mbes në garë për një vend që i dërgon në Evropë sezonin e ardhshëm. /Telegrafi/