Site icon Telegrafi

Më thuaj çfarë kafshe zgjedh…

Woman relaxing with a dog

Njerëzit plotësojnë veten dhe egon e tyre në cilësitë dhe identitetin e një kafshe. Jo më kot zgjedhjet e tyre janë të ndryshme për të pasur e plotësuar një anë të tyre të karakterit.

Irsida Lalaj,
Psikologe klinike

Një qen, një mace, një zog apo një peshk? Në ditët e sotme të mbash një kafshë shtëpiake është kthyer në tendencë. Njeriu kafshët i zgjedh për të përftuar pre tyre dashuri, ngrohtësi dhe mbështetje. Ndërkaq, specialistët gjithnjë e më shumë theksojnë nevojën e pranisë së një kafshe në jetën e një fëmije.

Por, le ta lëmë mënjanë diskutimin mbi të mirat e të pasurit të një kafshe dhe të rrimë te zgjedhja që i bëjmë asaj. Ndryshe e thënë: Pse e zgjedhim një kafshë të caktuar? Çfarë tregon për karakterin e njeriut zgjedhja e një kafshe? Pse marrim një mace Angora dhe jo një qen Bulldog? Pse preferojmë një papagall në vend të një lepuri?

Në të vërtetë, zgjedhja ka të bëjë me atë që jemi ne… Pra, varësisht natyrës apo tipareve të karakterit tonë, ne zgjedhim një kafshë dhe refuzojmë një tjetër…

1 Njerëzit që preferojnë të mbajnë një mace janë njerëz me natyrë shumë të pavarur, që ecin vetëm, kanë një ritual të caktuar dhe janë njerëz socialë. Macet janë të ftohta, ruajnë distanca të largëta, janë të egra nga natyra, gjithashtu edhe të pabindura. Njerëzit që preferojnë të marrin një mace në shtëpinë e tyre janë mësuar me to, janë më afër tyre si karakter, pasqyrojnë elementët e vetes tek to dhe dinë si t’i trajtojnë.

2 Njerëzit që preferojnë të mbajnë një qen janë njerëz besnikë, që kërkojnë një mik të disponueshëm në çdo moment. Qeni është një qenie e pranishme, ndjen emocionet kur i zoti është i mërzitur dhe mundohet ta përkëdhelë, përpiqet ta bëjë atë të ndihet më mirë. Qeni gjithashtu është shumë social, është një shok i mirë që përmirëson humorin. Janë bërë studime dhe është dalë në konkluzionin se qentë rrisin nivelin e seretominës dhe ulin depresionin tek njerëzit e dëshpëruar. Kryesisht meshkujt zgjedhin një qen Bull-dog, tek i cili shohin një anë të karakterit të fortë, besnikëri dhe qëndrueshmëri. Nga ana tjetër, seksi femëror është më i butë dhe preferon qentë e vegjël si Çiuaua, Pekinez, të cilët i shikojnë si fëmijët e tyre, dhe krijojnë një lidhje tepër të afërt me ta.

3 Njerëzit që preferojnë të mbajnë peshq në shtëpi janë njerëz që nuk kanë kohë për t’ua kushtuar kafshëve. Një peshk është i heshtur dhe i kufizuar në lëvizje dhe nuk ka nevojë për përkujdesje të tepërta. Nga ana tjetër, peshqit janë të qetë dhe e rrezatojnë këtë te të zotët e tyre. Të ndjekësh lëvizjen e tyre nëpër akuarium krijon ndjesinë e relaksit.

4 Njerëzit që preferojnë të mbajnë një shpend, qoftë ky një papagall apo kanarinë, zakonisht janë natyra artistike. Ata mund të gjejnë kënaqësi dhe çlodhje tek dëgjojnë cicërimat e zogjve.

5 Njerëzit që preferojnë të mbajnë një lepur janë njerëz lozonjarë, me natyrë të përkëdhelur. Zakonisht, njerëzit qe mbajnë një lepur në ambientet e shtëpisë u krijojnë atyre kushte për ta mbajtur në një kafaz të vogël, për të qenë të sigurt. Si lepujt që mbahen në ambientet e shtëpisë dhe ata të egër kanë natyrë ledhatare. /Telegrafi/

Exit mobile version