Egnatia është mundur në ndeshjen e saj të parë në Ligën e Kampioneve, su mysafir i Borac Banja Luka në Bosnjë me rezultat 1-0.
Një që erdhi mes tensionit të thirrjeve antishqiptare dhe dy kartonëve të kuq që u dhanë për lojtarët rrogozhinas.
Që në fillim tifozeria vendase shpalosi parulla me shkrimin “Kosova është zemra e Serbisë” dhe nuk kurseu thirrjet nacionaliste.
Por në fushën e lojës Egnatia nuk e ndjeu këtë trysni, duke menduar si të mbante të paprekur portën e saj.
Situata u nxeh në pjesën e dytë, sidomos pasi Arbin Zejnullai u ndëshkua me karton të kuq për një faull pas pamjeve që gjyqtari pa me VAR.
Tifozët vendas nisën të shtonin thirrjet antishqiptare në stadium dhe kjo solli ndërprerjen e ndeshjes, e cila rifilloi pas 10 minutash vetëm me “ultimatumin” se do kishte braktisje të saj.
Egnatia u mundua të rezistonte dhe dukej se po ia arrinte qëllimit. Por në shtesën e takimit, një pavëmendje solli golin e avantazhit të vendasve, që tentuan me ngulm të shënonin edhe të dytin.
Klaudio Ndreca më pas u ndëshkua me kartonin e dytë të kuq të kësaj ndeshje, duke bërë që rrogozhinasit ta mbyllnin ndeshjen me vështirësi, por me një rezultat që gjithsesi lë të hapur mundësinë e kualifikimit.
Ndeshja kthyese zhvillohet pas një jave në Shqipëri./Telegrafi/