Themeluesi i World Wide Web ka zbuluar synimin e tij për të revolucionarizuar internetin duke përmbysur plotësisht modelet e biznesit të grumbullimit të të dhënave, të gjigandëve të teknologjisë si Facebook dhe Google.
Sir Tim Berners-Lee, i cili shpiku World Wide Web në vitin 1989, e përshkroi projektin e tij të ri të guximshëm si një reagim ndaj gjendjes aktuale të internetit.
“Sot, besoj se kemi arritur një pikë kritike, dhe se ndryshimi i fuqishëm për të mirë është i mundur – dhe i nevojshëm”, shkroi Berners-Lee në një postim në blog.
Babai i internetit shpjegoi se ai ka punuar për disa vite me kërkues në Institutin e Teknologjisë të Masaçusetsit (MIT) për të zhvilluar një projekt me burim të hapur të quajtur Solid, njofton The Independent.
“Solid ndryshon modelin aktual ku përdoruesit duhet të dorëzojnë të dhënat personale në gjigandët dixhital në këmbim të vlerës së përceptuar,” shkroi ai.
“Siç kemi zbuluar të gjithë, kjo nuk ka qenë në interesin tonë më të mirë.”
Aplikacionet e zhvilluara përmes Solid mund të kenë një funksion të ngjashëm me aplikacione të njohura – si ato për biseda, faqet për ndarjen e videove dhe muzikës – megjithatë ka një ndryshim kyç: të gjitha të dhënat që kalojnë përmes platformës janë nën kontrollin e përdoruesit.
Por, ndërsa platforma e decentralizuar synon të heqë pushtetin nga gjigandët e internetit si Amazon, Facebook dhe Google, përpjekja do të duhet të jetë e madhe për të pasur çfarëdo lloj ndikimi, përcjell Telegrafi.
Për të realizuar këtë vizion, Berners-Lee ka themeluar një kompani të re të quajtur Inrupt, e cila do të sigurojë infrastrukturën e nevojshme për të mbështetur Solid.
“Njerëzit duan të kenë një rrjet në të cilin mund të kenë besim. Njerëzit duan aplikacione që i ndihmojnë ata të bëjnë atë që duan dhe duhet të bëjnë – pa spiunuar mbi ta”, shkroi Bernes.
“Njerëzit do të paguanin për këtë lloj sigurie dhe cilësie. Do të duhet shumë përpjekje për të ndërtuar platformën e re dhe të marrim miratimin e gjerë, por mendoj se kemi energji të mjaftueshme për ta çuar botën në një pikë të re. ” /Telegrafi/