Kapiteni i Ballkanit, Armend Thaqi, ishte golashënuesi i vetëm për skuadrën e tij në barazimin ndaj Clujit (1-1).
Ai ndihet krenar me paraqitjen që kanë treguar në ndeshjen e parë të fazës së grupeve, ndërsa është pak i zhgënjyer me mënyrën si pranuan gol.
“Pas gjithë ndeshjes së mirë, e patëm posedimin, patëm raste, e pranuam golin në fund, i cili na lë të zhgënjyer. Prapë se prapë na bën të ndihemi mirë për atë që treguam”.
“Ajo që treguam sonte na jep shpresë se mund të bëjmë edhe më shumë në ndeshjet e tjera”.
“Goli i parë në histori në fazën e grupeve për ekipet kosovare, më bën të ndihem mirë. Por, ne luajmë si grup dhe duhet të vazhdojmë të luajmë kështu. Pa ndihmën e të tjerëve, nuk do të shënoja”, ka thënë Thaqi. /Telegrafi/